Shqipëria pritet të bëhet zyrtarisht pjesë e Marrëveshjeve Artemis, një nismë ndërkombëtare e drejtuar nga NASA dhe Shtetet e Bashkuara që synon vendosjen e parimeve për eksplorimin paqësor dhe të qëndrueshëm të hapësirës.
Ceremonia e nënshkrimit është parashikuar të zhvillohet të hënën, më 21 shtator, në selinë e NASA-s në Uashington, në orën 12:00 sipas kohës lokale.
Me firmosjen e marrëveshjes, Shqipëria do të bëhet vendi i 73-të që i bashkohet kësaj kornize ndërkombëtare.
Në ceremoninë zyrtare pritet të marrin pjesë ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, dhe ambasadori shqiptar në SHBA, Ervin Bushati. Aktiviteti do të organizohet nga administratori zëvendës i NASA-s, Matt Anderson, në bashkëpunim me përfaqësues të Departamentit amerikan të Shtetit.
Çfarë parashikojnë Marrëveshjet Artemis?
Marrëveshjet u krijuan në vitin 2020 nga SHBA-ja, NASA dhe Departamenti i Shtetit, në bashkëpunim me vendet themeluese, me synimin për të përcaktuar parime të përbashkëta për aktivitetet civile në hapësirë.
Në qendër të tyre janë përdorimi paqësor i hapësirës, siguria e misioneve, transparenca, shkëmbimi i të dhënave shkencore dhe koordinimi ndërkombëtar.
Kuadri i marrëveshjeve mbështetet në Traktatin e Hapësirës së Jashtme dhe në rregulla të tjera ndërkombëtare që lidhen me aktivitetet hapësinore. Parimet përfshijnë gjithashtu regjistrimin e objekteve hapësinore, ofrimin e ndihmës në raste emergjencash dhe shmangien e ndërhyrjeve të dëmshme mes misioneve.
Anëtarësimi nuk do të thotë që Shqipëria do të marrë automatikisht pjesë në misione hapësinore, por e vendos vendin në një kuadër ndërkombëtar bashkëpunimi për eksplorimin dhe përdorimin civil të hapësirës.
Marrëveshjet lidhen me programin Artemis të NASA-s, i cili synon rikthimin e astronautëve në Hënë dhe krijimin e bazës për misione të ardhshme drejt destinacioneve më të largëta, përfshirë Marsin.
Me këtë hap, Shqipëria do t’i bashkohet vendeve që kanë zgjedhur të angazhohen në parimet e përbashkëta për një eksplorim më të sigurt, transparent dhe paqësor të hapësirës.
