Raporti i SOROS vëren se vendi ka ulur ndjeshëm plotësimin e masave kundër krimit të organizuar


Fatjona Mejdini


Shqipëria ka përmbushur vetëm gjysmën e detyrimeve që ishte vendosur në kuadër të përmbushjes së 12 rekomandimeve të vendosura nga Bashkimi Europian, për të marrë statusin e vendit kandidat. Kështu, në prag të marrjes së përgjigjes për statusin, Fondacioni Shoqëria e Hapur (SOROS), bëri publik raportin e radhës në lidhje me masën e detyrimeve që institucionet shqiptare kanë përmbushur brenda një viti në kuadër të rekomandimeve të Komisionit Europian. Pavarësisht se në raport theksohet fakti se gjatë vitit 2012 puna e institucioneve ka qenë më e madhe në mbushjen e detyrimeve, sesa në vitin 2011, deri në muajin nëntor Shqipëria ka përmbushur vetëm 46% të angazhimeve. Por është interesant fakti se Shqipëria ka bërë më pak se një vit më parë në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar.


Konkluzionet


Raporti i SOROS del në konkluzionin se gjatë 12 muajve të fundit, përpjekjet e Shqipërisë për plotësimin e 12 prioriteteve të KE-së janë dyfishuar. “Nga 102 masa në vitin 2011, sivjet institucionet shtetërore ishin angazhuar për zbatimin e 517 masave. Nga 20% që ishte niveli i zbatimit në vitin 2011, sivjet deri në muajin nëntor, niveli i zbatimit shënon 46%”, theksohet në raport. Nga ana tjetër, 32% e masave janë pjesërisht të zbatuara, pasi puna për to ka filluar, por nuk është përfunduar ende, ose sepse afatet janë përcaktuar deri në fund të vitit. Por janë 22% e masave, për të cilat nuk ka nisur ende zbatimi. Sipas raportit, rikthimi i opozitës në jetën parlamentare ka zhbllokuar reformat kyçe, siç janë ato në sistemin e drejtësisë apo lufta kundër korrupsionit. Por pavarësisht këtyre arritjeve, raporti liston edhe masat që duhet të përmbushen. Kështu, nga ana e fondacionit, rekomandohet që të përfundojë sa më shpejt puna për reformën parlamentare dhe të rishikohet ligji për Gjykatën e Lartë. Po kështu, në raport theksohet nevoja për përshpejtimin e procesit të zgjedhjes së gjyqtarit të nëntë për Gjykatën Kushtetuese, që të sigurohet edhe funksionimi i plotë i kësaj gjykate me nëntë anëtarë. Po kështu, si rekomandim jepet edhe nevoja për të rishikuar ligjin për Gjykatën Kushtetuese, në të njëjtën mënyrë si ligji për Gjykatën e Lartë, për të përcaktuar dhe kriteret konkrete dhe procedurat që duhen nga Presidenti i Republikës në emërimin e këtyre gjyqtarëve. Një tjetër rekomandim është edhe rishikimi i ligjit për statusin e nëpunësit civili dhe finalizimi i ndryshimeve për ligjin me të cilin funksionon Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Raporti del në konkluzionin se niveli më i lartë i realizimit të planit vërehet në prioritetin mbi funksionimin e Parlamentit me 80% të masave të zbatuara. Por niveli më i ulët i masave shënohet në luftën kundër krimit të organizuar, ku sivjet zbatimi ka rënë nga 43% në vitin 2011, në 36% masa të zbatuara plotësisht në vitin 2012 deri tani.


 


 


Zv/ministri i Integrimit kundërshton


I ftuar në tryezën e djeshme, zëvendësministri i Integrimit, Edmond Hoxha, deklaroi se nuk ishte e vërtetë që qeveria kishte punuar më pak këtë vit në kuadër të luftës kundër korrupsionit. Por, sipas tij, mospërputhja e të dhënave mund të vijë edhe si rezultat i mangësisë në informacion.


 


Mungesat


Organizatorët e tryezës deklaruan se ata nuk kishin marrë informacion nga disa institucione të rëndësishme në vend për raportin, siç është edhe Këshilli i Ministrave.


 


Ambasadori


Sequi: Politikanët mos të vënë interesat partiake përpara integrimit


Ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Ettore Sequi, i pranishëm dje në tryezën ku u prezantua raporti i SOROS, deklaroi se palët politike duhet të vendosnin integrimin e vendit përpara interesave partiake dhe personale. Sipas tij, realizimi në kohë i reformave është në të mirë të qytetarëve shqiptarë dhe aspiratave të tyre. “Realizimi në kohë i reformave nga ana e politikës është në interesin më të mirë të vendit dhe të qytetarëve shqiptarë. Drejtuesit politikë të vendit nuk duhet të vënë përpara interesave partiake, reformat për integrimin e vendit në Bashkimin Europian”, deklaroi Sequi në lidhje me procesin e integrimit të vendit. Ai nuk preferoi të jepte më shumë detaje për këtë proces, për shkak se tashmë radha për të folur i takon Brukselit zyrtar.