Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Edi Rama ka vlerësuar përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. Von der Leyen u shpreh se Shqipëria është ndër vendet kryesuese në këtë proces dhe theksoi se gjatë vitit të fundit është shënuar progres i rëndësishëm.

“Është kënaqësi e madhe të rikthehem në Tiranë. Përvoja ime është e tillë që shqiptarët e mbajnë Evropën në zemër. Shqipëria është ndër vendet kryesuese në procesin tonë të integrimit.

Unë vij çdo vit për të parë ecurinë dhe, pas një viti, Shqipëria ka bërë një punë fantastike me progresin. Përparim shumë i rëndësishëm, sepse do të thotë që e shohim botën me të njëjtët sy.

Dua t’u përcjell qytetarëve shqiptarë dhe evropianë faktin që anëtarësimi i Shqipërisë nuk do të bëjë vetëm Shqipërinë më të fortë, por edhe BE-në.

Por vazhdoni me fokusin, sepse ka ende punë për të bërë”, tha ajo./TCH