E ftuar në një lidhje telefonike për “Live From Tirana” me Stenaldo Mëhillin, ka qenë gazetarja e njohur Klodiana Lala, për të diskutuar më shumë mbi ngjarjet më të fundit të ndodhura në vendin tonë, që nga skandali i ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, e deri tek përgjegjësia e kryeministrit në këtë rast…

Kur prek fundin, nuk ke se ku shkon më dhe do fillosh të ringrihesh. Dhe unë mendoj që Shqipëria është tamam në fazën ku ka prekur fundin. Dhe në momentin që nuk ke ku shkon më, pra je në dysheme, e vetmja mundësi që ke është të ringrihesh. Padiskutim që ka nevojë për një mobilizim të intelektualëve, ka nevojë për një mobilizim të njerëzve që kanë zë të fortë publik, ka nevojë për një mobilizim të njerëzve që e duan këtë vend e duan ta bëjnë një vend më të mirë. Dhe në këtë aspekt mendoj se nëse ne do të jemi të gjithë bashkë, mund t’i japin një frymëmarrje vendit dhe mund ta bëjmë të ecë përpara. Pse them unë që është pika e kthesës? Kam edhe unë dyshime herë pas here sepse rris gëmijët e mi në këtë vend, dhe e kuptoj se sa e vështirë është të jetosh me dinjitet në këtë vend dhe sa e vështirë është të jetosh në një moçal ku ndeshen derrat. Dhe në një moçal ku ndeshen derrat, patjetër që bëhen përpjekjet për të bërë pis gjithkënd pa patur edhe arsye fare. Dhe padiskutim që kjo më vjen herë pas here në mendje. Por nuk mund të them që ky vend nuk bëhet, sepse ndryshe pastaj do të më duhej të merrja rrobat dhe të largohesha nga ky vend. Kështu që në këta aspekt, duke qenë se po ndodhin kaq shume ngjarje në jetën publike, në jetën politike, në institucionet e drejtësisë, në institucione shtetërore, në rrafshin e krimit të organizuar, mendoj që jemi në pikën e fundit dhe e vetmja mundësi është që ne të fillojmë të ringrihemi.