Shqipëria shënon sot një tjetër etapë të rëndësishme në procesin e integrimit europian, me zhvillimin e mbledhjes së nëntë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian në Bruksel, ku pritet të zyrtarizohet mbyllja e tre kapitujve të rinj të negociatave.

Kapitujt që do të mbyllen janë Kapitulli 25 – Shkenca dhe Kërkimi, Kapitulli 26 – Arsimi dhe Kultura dhe Kapitulli 30 – Marrëdhëniet me Jashtë, duke shënuar një tjetër avancim në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE.

Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, e cilësoi 14 korrikun si një “Super të Martë” për zgjerimin e BE-së, pasi për herë të parë në më shumë se 20 vjet zhvillohen katër konferenca ndërqeveritare të anëtarësimit në të njëjtën ditë.

Në një video-mesazh të publikuar në rrjetin social X, Kos theksoi se Shqipëria, së bashku me Ukrainën, Moldavinë dhe Malin e Zi, po shënon hapa të rëndësishëm në procesin e integrimit.

“Sot është një ‘Super e Martë’ për zgjerimin e BE-së. Katër vendet që janë në krye të procesit po bëjnë përparim të rëndësishëm. Shqipëria do të mbyllë kapitujt e saj të parë, ndërsa Mali i Zi ndodhet në fazën përfundimtare të negociatave formale. Ky ritëm duhet të shoqërohet me rezultate konkrete në terren”, deklaroi Kos.

Qeveria shqiptare e konsideron këtë zhvillim si një sinjal të fortë besimi nga shtetet anëtare dhe Komisioni Europian ndaj progresit të vendit në zbatimin e reformave dhe përmbushjen e kritereve të anëtarësimit.

Sipas metodologjisë së Bashkimit Europian, mbyllja e kapitujve nuk nënkupton përfundimin e reformave në këto fusha. Ato do të mbeten nën monitorim deri në anëtarësimin e plotë të Shqipërisë dhe, në rast se nuk ruhet progresi i kërkuar, mund të rihapen gjatë procesit të negociatave.

Në konferencën ndërqeveritare do të marrin pjesë kryeministri Edi Rama, delegacioni shqiptar, komisionerja Marta Kos dhe përfaqësues të presidencës irlandeze të Këshillit të Bashkimit Europian. Pas takimit pritet të mbahet edhe një konferencë e përbashkët për mediat.

Mbyllja e këtyre tre kapitujve konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt objektivit strategjik të Shqipërisë për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade.