Një situatë e ngarkuar nga zjarret është raportuar gjatë ditës së sotme në disa qarqe të vendit. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, janë regjistruar 38 vatra zjarri, ndërsa deri në orën 20:00, 18 prej tyre vijojnë të jenë në ndjekje.

Nga këto, 14 vatra janë aktive, 2 në monitorim dhe 2 nën kontroll.

Për përballimin e situatës janë angazhuar 309 efektivë të Forcave të Armatosura, 22 mjete, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor, të cilët po ndërhyjnë në zonat më problematike.

Dibra, situata më intensive në Gurë-Lurë

Një nga zonat ku vijon angazhimi më i madh është Gurë-Lura në Dibër, ku zjarri mbetet aktiv në dy drejtime.

Në terren ndodhen 120 forca bashkiake, 57 efektivë të Forcave të Armatosura, 15 punonjës policie, 15 vullnetarë dhe 9 punonjës të ADZM-së. Operacioni po mbështetet edhe nga dy avionë Air Tractor.

Sipas autoriteteve, perimetri pranë banesave është vendosur nën kontroll dhe rreziku për përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara është shmangur. Ndërhyrja vijon edhe në Qafën e Helmes.

Zjarret në Tiranë dhe Krujë

Në qarkun e Tiranës, ekipet po punojnë në Dajt, si dhe përgjatë aksit Priskë e Madhe–Gurrë–Farkë–Lundër, me mbështetjen e helikopterëve të Forcave të Armatosura.

Pavarësisht terrenit të vështirë, autoritetet nuk raportojnë rrezik për zonat e banuara.

Krujë, zjarri në Abaze është vendosur nën kontroll pas ndërhyrjes së forcave operacionale dhe një helikopteri të FA-së. Ndërkohë, në Bojë, Krastë dhe Halil nuk raportohen më vatra aktive.

Flakët vijojnë në disa qarqe

Përmet, operacionet vazhdojnë në Nëmërçkë dhe Dhëmbel, ku terreni malor po vështirëson ndërhyrjen. Nuk raportohet rrezik për banesat.

Moravë të Devollit, zjarri është vendosur nën kontroll.

Troje të Mirditës, ndërhyrja vijon me pjesëmarrjen e zjarrfikësve, forcave të bashkisë, policisë, vullnetarëve dhe 30 efektivëve të Forcave të Armatosura.

Shkodër, operacionet vazhdojnë në Rrencë dhe Goraj-Budishtë. Kjo e fundit po shkon drejt izolimit dhe nuk paraqet rrezik për banesat, ndërsa vatra në Kryezi është nën kontroll.

Elbasan, forcat vijojnë punën në Dardhë, Lugaxhi dhe Shalës. Në Lugaxhi janë angazhuar zjarrfikës, punonjës të shërbimit pyjor, ASHP, forca bashkiake dhe 30 vullnetarë. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.

Finiq, zjarret në Dhivër dhe Rumanxë janë shuar plotësisht, ndërsa vatra në Dhrovjan është vendosur nën kontroll.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë vendin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e emergjencave.

Forcat dhe mjetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri, ndërsa mbrojtja e banesave, jetës dhe pasurisë së qytetarëve mbetet prioriteti kryesor i operacioneve.