Situata në qarqet e vendit. Digjen 50 hektarë pyje në parkun e Bozdovecit
Nga veriu në jug, nga lindja në perëndim, e gjithë Shqipëria është duke u përballur me vatra zjarri, të cilat po shkrumbojnë hektarë të tërë në zonat pyjore të vendit.
Në një komunikatë zyrtare të Ministrisë së Brendshme, pasditen e së shtunës u njoftua se në të gjithë vendin, ishin 40 vatra aktive zjarri, të shpërndara në disa rrethe të ndryshme, ndërsa gjatë ditës së djeshme rezultojnë të paktën 25 vatra aktive.
Problematike paraqitet gjendja në Berat, ku e përfshirë nga flakët është kodra e Sulmit, në të cilën rrezikohen edhe disa banesa.
Zjarret janë afruar edhe në zonën turistike të Lurës, në Dibër, ku janë lokalizuar dy vatra, ndërsa në të gjithë rrethin ndodhen edhe gjashtë zjarre të tjera. Ndërhyrja nga ajri gjatë pasdites së djeshme ka ndihmuar në përmirësimin e situatës dhe shuarjen e disa vatrave, por situata problematike ende nuk është kapërcyer ende.
Në Qarkun e Kukësit regjistrohen pesë zjarre të ndryshme, midis të cilëve më problematikët janë në Qafë Kom dhe në pyjet e Surrojit.
Në Qarkun Korçë është vendosur nën kontroll zjarri në pyjet e Voskopojës, por vazhdojnë të digjen hektarë të tëra pyje në Malin e Bardhë. Sipas të dhënave, zjarr ka rënë edhe në Parkun Kombëtar të Bozdovecit, duke shkrumbuar 50 hektarë pyje, nga 100 në total. Mësohet se flakët rrezikojnë të përfshijnë dhe Parkun Kombëtar të Dardhës. Forca të shumta të zjarrfikësve kanë mbërritur në terren për shuarjen e flakëve, ndonëse vështirësitë kanë qenë tejet të mëdha.
Në Qarkun e Lezhës, janë katër vatra aktive zjarri, ndërsa situata më problematike paraqitet në pyllin e Fanit.
Në Qarkun e Shkodrës, janë aktive nëntë vatra zjarri, tetë prej të cilave në zonat pyjore rreth Pukës.
Situatë alarmante paraqitet edhe në Orosh e në Qafën e Malit, ndërsa një vatër e re është shfaqur në fshatin Flet.
Në Qarkun e Elbasanit, aktualisht janë aktive gjashtë vatra, ndër të cilat dy në Gramsh dhe tre në Librazhd.
Në Tiranë, në flakë është mali i Dajtit dhe pyjet pranë fshatit Baldushk.
Ndonëse zjarret kanë pushtuar të gjithë vendin, duke krijuar pasoja të mëdha, nuk ka ende një bilanc të qartë zyrtar për dëmin ekonomik që ka shkaktuar kjo situatë alarmante. E megjithatë, sipas të dhënave të regjistruara deri më tani rezulton se fatura që do të pritet në fund të kapë vlerën e disa milionë eurove.
Reagimi
Rama: Shqipëria digjet, Saliu krihet në TV
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, akuzon Kryeministrin Berisha se teksa Shqipëria po digjet nga vatrat e zjarrit, të cilat ditët e fundit kanë mbërthyer sipërfaqe të gjelbra në të gjithë vendin, shefi i qeverisë inauguron rrugë për të shtatën herë me radhë. “Teksa sipërfaqe të tëra të gjelbra në mbarë vendin vijojnë të digjen ende, Kryeministri inauguron për të shtatën herë të njëjtat rrugë, ndërkohë që për të shtatën verë rresht flakët përpijnë territore të tëra në mungesë të masave më minimale. Dje preu një shirit për një rrugë rurale buzë Dajtit, ku kishte një pamje të flakëve”, tha Rama në një konferencë për shtyp. Duke sulmuar Kryeministrin se po shpërdoron pasuritë kombëtare të vendit dhe po grabit shqiptarët, premtoi se me fitoren e socialistëve në zgjedhjet e 2013-s, Partia Socialiste do i vërë fre administrimit të të mirave publike.
“Kryeministri krihet para kamerave, ndërsa Shqipëria digjet. Pas 10 muajsh, në fitoret e zgjedhjeve të ardhshme ne do i vëmë fre administrimit të të mirave publike. Ne do i japim fund politikës së grabitjes së pasurive natyrore. Në 7 vjet qeverisje burimet natyrore dhe pasuri të Shqipërisë nuk janë grabitur”, theksoi kreu i PS-së.