Nuk bëhet fjalë për ekspertët e vlerësimit të dëmeve pas rënies së zjarrit, por për persona të certifikuar dhe të trajnuar për të qenë zjarrfikës privatë. Modeli austriak është ligjëruar edhe në Shqipëri, madje në nenin 38 të ligjit janë përcaktuar edhe detyrimet e personave fizikë, apo juridikë që ushtrojnë aktivitetin në fikjen e zjarreve.


Në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme jepen detajet e profesionit të zjarrfikësit privat, si dhe dokumentacioni që duhet të paraqesë çdo i interesuar për këtë çështje.


Në nenin 38 të ligjit për Shërbimin e Mbrojtjes dhe Shpëtimit nga Zjarri thuhet se Personat fizikë dhe juridikë detyrohen të zbatojnë dispozitat e parashikuara nga ky ligj dhe aktet e tjera nënligjore për sigurinë nga zjarri dhe shpëtimin; të marrin masa për parandalimin e pakësimin e zjarreve, me anë të mjeteve, sistemeve, pajisjeve të diktim-sinjalizimit për shuarjen e zjarreve, gjatë kryerjes së aktivitetit të tyre.


Gjithashtu ligji është detyrues për të ushtruar kontroll të paktën një herë në vit mbi gjendjen e masave, mjeteve dhe pajisjeve për sigurinë nga zjarri dhe shpëtimin, në objektet dhe aktivitetet ku ushtrojnë veprimtarinë.


Por ka edhe një pikë tjetër, sipas së cilës individët, ose subjektet duhet të planifikojnë fonde financiare për ndërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës për sigurinë nga zjarri dhe shpëtimin dhe trajnimin periodik të tyre.


Por, ndonëse kuadri ligjor është thuajse i plotë, kjo nuk ka ndalur zjarret në pyje, ku dëmet kanë qenë të pallogaritshme. Vetëm dy javë më parë, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) i ka drejtuar dy shkresa respektive 61 bashkive, 12 prefekteve dhe Policisë së Shtetit lidhur me situatën e zjarreve në vend, duke u kërkuar marrjen e masave të plota për parandalimin dhe minimizimin e dëmeve nga zjarret.


Skuadrat zjarrfikëse të bashkive shpesh nuk janë në kohën e duhur. Madje ka raste që të ndikuar nga rrethanat, duhet që shuarja e flakëve që përfshin pyje të bëhet nga ajri. Por, ajo që bie në sy jo vetëm në verë-vjeshtën e këtij viti, por edhe vitet e kaluara është mungesa e funksionimit të shërbimit privat të zjarrfikësve ashtu sikurse parashikohet në ligj.


Nga ana tjetër, vetë Qeveria ka rritur tarifat për shërbimet e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin për shtëpitë, bizneset dhe për veprimtaritë e sektorëve të ekonomisë.


Me hyrjen në fuqi të vendimit të ri për shërbimin zjarrfikës në objektet e banimit tarifa që do të paguhet do të jetë 5 mijë lekë nëse objekti do të ketë lartësi 12 metra deri në 30 mijë lekë për objektet me lartësi nga 32 deri në 54 m.


Në vendimin e shfuqizuar të vitit 2002 tarifat për shtëpitë e banimit varionin nga 500 lekë me vlerë investimi deri në 1 milion lekë, 15 mijë lekë për objektet me vlerë investimi 50 milionë lekë dhe tarifa e shpëtimit nga zjarri ishte 50 mijë lekë për ndërtimet në fshatrat turistike me vlerë investimi 1 milion USD.


Për bizneset tarifat do të variojnë nga 5 mijë lekë për sipërfaqet 500 metra katror deri në 50 mijë lekë për sipërfaqet mbi 3,000 m2. Vendimi i mëparshëm për dyqanet, lokalet, serviset, repartet artizanale, magazinat e mallrave me vlerë investimi nga 1 deri në 2 milionë lekë, aplikonte vetëm tarife prej 1 mijë lekë.


Përfshihen për herë të parë, aplikimi i tarifave për shërbimet si: zhbllokime dyersh, ashensorë, apo shërbime të tjera të ngjashme), që do të kryhen nga shërbimi zjarrfikës i bashkisë, tarifa është 2,000 lekë dhe largim të ujërave për shkak të reshjeve ku tarifa do të jetë 5 mijë lekë.


Tarifat e përcaktuara në këtë vendim nuk aplikohen në raste të emergjencave civile dhe ngjarjeve të ndryshme aksidentale. Të ardhurat që realizohen nga arkëtimi i pagesës së këtyre tarifave do të përdoren vetëm për financimin e veprimtarisë së Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, për kompletimin me automjete, pajisje të ndryshme zjarrfikëse, përmirësimin e kushteve të punës, si dhe rritjen e gatishmërisë së shërbimit zjarrfikës.


Për dhënien e certifikatës së sigurisë nga zjarri, nga strukturat e shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin, për objektet që ushtrojnë aktivitete, sipas klasifikimit të rrezikshmërisë nga zjarri, tarifa është 5,000 lekë; për ripërtëritjen periodike të certifikatës së sigurisë nga zjarri, nga strukturat e shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin, tarifa është 2,000 lekë; për lëshimin e vërtetimit të zjarrit (shoqëruar nga raporti i ndërhyrjes), nga shërbimi i mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin, tarifa është 1,000 lekë.


©Copyright Gazeta Shqip


Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.