Shqipëria po përballet me mot të keq dhe reshje intensive ditët e fundit duke sjellë pasoja në përmbytje të tokave bujqësore, dëme ekonomike për familjet shqiptare dhe humbje jetësh.
Për emergjencat civile përfshirë këtu përmbytjet dhe rikonstruskionet në hidrovore, qeveria në 2025 i ka dedikuar një fond mbi gjysmë miliardë lekë. Por pavarësisht këtyre masave të cilat një pjesë janë realizuar, përmbytjet në vend kanë qenë të ndjeshme në shumë qarqe.
Për t’i paraprirë përmbytjeve dhe rregulluar dëmet e evidentuara në lumenj, diga apo hidrovorë dhe marrë parasysh paralajmërimeve të Bankës Botërore se këtë vit vendi ynë rrezikohet edhe më shumë, qeveria parashikon për 2026 një fond afro 1 miliardë lekësh, më të madhin në 5-vjecarin e fundit.
Fondet do të mbulonë riparimin e argjinaturave, rehabilitim lumenjsh, digash, hidrovoresh dhe kanalesh ujitës.
Konkretisht këto para do të shkojnë për infrastrukturën e mbrojtjes nga përmbytja kolektorin e Roskovecit, mbrojtjen e lumit të kalasë, Shushicës në Vranisht, lumit të Vjosës në Kashisht, lumit Mat në Skuraj, lumit Drin në Bahcallëk, lumit Buna në Darragjatë dhe Oblik të Shkodrës, ndërsa mbrojtje nga gërryerja dhe përmbytja e lumit Osum në Starovë. Ndërhyrjet në argjinaturë do të kryhen në lumin Seman, Shkumbin dhe kolektorin e Butrintit.
Vetëm për hidrovoret në 2026 fatura arrin në 159 milionë lekë. Me qëllim kryesor rikonstruktimin e 3 hidrovorëve në Durrës dhe një në Orikum dhe të tjerëve që do të kenë nevojë për ndërhyrje. Fond I cili deri në 2028 parashikohet në 700 milionë lekë.
Kjo faturë për emergjencat civile deri në 2028 pritet të arrijë në 2.7 miliardë lekë./ Top Channel



