Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump, ka thënë se mund të marrë parasysh edhe Shqipërinë, si vend për të sjellë palestinezët e zhvendosur nga Rripi i Gazës.

Në takimin e tij me mbretin e Jordanisë, Trump u pyet nga gazetarët nëse ai po merr në konsideratë vende të tjera për të dërguar palestinezët përveç Egjiptit, siç është Shqipëria apo Indonezia?

“Po sigurisht. Ka shumë vende te tjera qe duan te përfshihen”, u përgjigj Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump ka qarkulluar idenë që popullsia e Gazës të rivendoset në shtete tjera dhe që Shtetet e Bashkuara ta marrin Gazën nën kontroll për ta rindërtuar. Plani i Presidentit Trump ka gjetur mbështetje në Izrael, por bota arabe dhe udhëheqësit palestinezë e kundërshtojnë atë tërësisht.

Izraeli dhe Hamasi janë në proces të zbatimit të armëpushimin gjashtë javor, gjatë të cilit Hamasi po liron dhjetëra pengje të rrëmbyera me 7 tetor, të vitit 2023 në këmbim për 2,000 të burgosur palestinezë.

Që kur filloi armëpushimi muajin e kaluar, palët kanë bërë pesë shkëmbime, gjatë të cilave u liruan 21 pengje dhe mbi 730 të burgosur. Këmbimi i radhës është caktuar të shtunën, kur pritet lirimi i tre pengjeve izraelite në këmbim të qindra të burgosurve palestinezë.