Ukraina ka reaguar me falënderim ndaj Shqipërisë, pas vendimit të Tiranës për të mos tërhequr trupën diplomatike nga Kievi, pavarësisht paralajmërimeve të Rusisë për sigurinë e diplomatëve dhe qytetarëve të huaj.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha shpërndau në rrjetin “X” reagimin e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxhës, duke vlerësuar qëndrimin e palëkundur të Tiranës.
“Ne e vlerësojmë qëndrimin parimor dhe të fortë të Shqipërisë. Kërcënimet ndaj diplomatëve dhe civilëve vetëm sa e ekspozojnë më tej shpërfilljen e Rusisë për përpjekjet e paqes. Ukraina vlerëson solidaritetin dhe mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë. Së bashku, ne qëndrojmë për paqen, sigurinë dhe drejtësinë”, shkroi Sybiha.
Kujtojmë se në një deklaratë, ministri Hoxha e ka cilësuar njoftimin e Rusisë “krejtësisht të papranueshëm”, duke theksuar se kërcënimi i ambasadave nuk është diplomaci, por intimidim dhe shkelje e së drejtës ndërkombëtare, përfshirë Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, postim në X: “Shqipëria e konsideron njoftimin e Rusisë ku u bën thirrje personelit diplomatik dhe qytetarëve të huaj të largohen nga Kievi përpara sulmeve të planifikuara si krejtësisht të papranueshëm. Kërcënimi i ambasadave nuk është diplomaci; është intimidim. Ai përfaqëson një tjetër shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike. Shqipëria nuk do të tërhiqet. Ne mbetemi në Kiev. Ne qëndrojmë fort me Ukrainën. Dhe nuk do të intimidohemi. Përgjigja për këtë luftë nuk mund të jetë më shumë luftë, më shumë krime ose sulme pa dallim kundër civilëve dhe infrastrukturës civile. E vetmja rrugë përpara është t’i jepet fund një lufte që nuk duhej të kishte filluar kurrë dhe angazhim në negociata të vërteta dhe me mirëbesim për paqe. Kjo iu përcoll shumë qartë ditën e sotme edhe Ambasadorit të Rusisë në Tiranë.”
