Kryeministri Edi Rama ka folur për zhvillimet dhe sfidat e Shqipërisë, duke u ndalur edhe te komentet që bëhen për pamjen e tij fizike.
Gjatë fjalës së tij, Rama deklaroi se Shqipëria sot është më e vlerësuar ndërkombëtarisht dhe se vendi ka më shumë mundësi për zhvillim, por theksoi se arritjet e deritanishme nuk janë të mjaftueshme.
Ai u shpreh se objektivi duhet të jetë që vendi të ecë përpara me ritme edhe më të shpejta.
Në vijim, kryeministri iu përgjigj edhe komenteve për një asimetri në fytyrën e tij, duke treguar se ajo lidhet me një dëmtim të pësuar në të kaluarën.
“Ky shtrembërim këtu është shenja që trupi im do e mbajë gjatë gjithë jetës”, tha Rama.
Ai e lidhi këtë episod me periudhën kur, sipas tij, kishte pasur një tentativë për ta dëmtuar rëndë, duke theksuar se nuk dëshiron të ndalet te historia personale.
Rama tha se ajo që e ka shqetësuar gjithmonë ka qenë dëshira për të jetuar në një Shqipëri ku qytetarët të mos ndiheshin të detyruar të ulnin kokën për vendin nga vinin.
Në pjesën tjetër të fjalës, kryeministri u shpreh optimist për të ardhmen e vendit, duke argumentuar se Shqipëria ka sot më shumë mbështetje dhe mundësi reale për zhvillim sesa në të kaluarën.
