Media holandeze “BrusselseNieuwe.nl” ka trajtuar në një analizë procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke vënë në fokus edhe çështjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim prej muajsh nën akuzat për korrupsion.
Në artikull, studiuesja Emma Melankovsky vlerëson se gjatë vizitës së delegacionit të Komisionit Parlamentar për Çështjet Europiane të Holandës në Shqipëri, duhet të diskutohet jo vetëm progresi i vendit drejt Bashkimit Europian, por edhe respektimi i standardeve të shtetit të së drejtës.
Shqipëria konsiderohet një nga vendet kandidate me rëndësi për zgjerimin e BE-së, ndërsa Brukseli ka vlerësuar reformat e ndërmarra, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe reformimin e drejtësisë. Holanda është një prej partnerëve ndërkombëtarë që ka mbështetur forcimin e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri dhe punën e SPAK.
Sipas analizës, rasti i Erion Veliajt ngre diskutime më të gjera për balancën mes luftës kundër korrupsionit dhe garantimit të të drejtave themelore.
“Dyshimet për korrupsion duhet të hetohen në mënyrë të pavarur dhe të kujdesshme, por paraburgimi i zgjatur i një zyrtari të zgjedhur demokratikisht ngre pikëpyetje për standardet e shtetit të së drejtës”, thuhet në shkrim.
Artikulli përmend gjithashtu se, sipas avokatëve të Veliajt, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar për herë të dytë se Gjykata e Lartë nuk kishte shqyrtuar në mënyrë të mjaftueshme vijimin e masës së paraburgimit.
Media holandeze e krahason debatin me rastin e kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem İmamoğlu, ku Komisioni i Venecias ka theksuar se ndalimi i drejtuesve të zgjedhur vendorë duhet të bazohet në një nevojë të qartë juridike dhe se masat alternative duhet të merren në konsideratë.
Në përfundim, analiza nënvizon se procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian kërkon që vendet kandidate të zbatojnë jo vetëm reforma kundër korrupsionit, por edhe të garantojnë respektimin e parimeve themelore të shtetit të së drejtës.
Sipas autores, Shqipëria duhet të vazhdojë rrugën drejt integrimit europian duke ruajtur ekuilibrin mes ndëshkimit të abuzimeve dhe mbrojtjes së të drejtave demokratike.
