Të rinjtë shqiptarë po zgjedhin gjithnjë e më shumë universitetet jashtë vendit, duke e kthyer Shqipërinë në një nga vendet me nivel të lartë të lëvizshmërisë studentore në rajon.

Sipas një raporti të UNESCO-s, ky fenomen po ndikohet nga disa faktorë kryesorë, përfshirë emigracionin afatgjatë, rënien demografike dhe kërkimin për mundësi më të mira arsimore e profesionale jashtë vendit.

Raporti thekson se arsimi i lartë në Shqipëri ka ndryshuar ndjeshëm gjatë dy dekadave të fundit. Në vitin 2003, vetëm 16% e të rinjve ndiqnin studimet universitare, ndërsa në vitin 2024 kjo shifër është rritur në rreth 82%, duke reflektuar zgjerimin e aksesit në arsim.

Megjithatë, paralelisht me rritjen e pjesëmarrjes në universitetet brenda vendit, është shtuar edhe tendenca e studimeve jashtë Shqipërisë. UNESCO vëren se emigracioni i nisur në vitet ’90 vazhdon të ndikojë drejtpërdrejt në këtë prirje, duke u reflektuar edhe te brezat e rinj.

Në raport theksohet se largimi i studentëve nuk shihet domosdoshmërisht si negativ, pasi mund të sjellë përfitime në formimin akademik dhe profesional. Megjithatë, sfidë mbetet kthimi i tyre në vend dhe integrimi në tregun e punës, në mënyrë që njohuritë e fituara jashtë të kontribuojnë në zhvillimin e Shqipërisë.

UNESCO ngre gjithashtu shqetësimin se tkurrja e popullsisë në moshë universitare dhe emigrimi i vazhdueshëm mund të ndikojnë në të ardhmen e institucioneve të arsimit të lartë në vend.