Kreu i PD-së Sali Berisha zhvilloi foltoren e radhës me demokratët, kësaj here në degën e kësaj partie në njësinë numër 4 në Tiranë.

Berisha në fjalën e tij theksoi shifrat alarmante të largimit të shqiptarëve gjatë viteve të qeverisë socialiste të Edi Ramës. Sipas Berishës, vendi ynë ndodhet në një diktaturë të bandave, më e rrezikshmja nga të gjitha llojet.

“Vij sot te ju në një moment jashtëzakonisht të veçantë për PD opozitën, por edhe për vendin. Vij në një moment kur PD dhe opozita ndodhet para provës më të madhe në tërë ekzistencën e saj. Para provës së përmbushjes së misionit të saj, shpëtimit të Shqipërisë nga një regjim që është një regjim diktatorial. Jo i llojit totalitar që nuk pranon asnjë lloj opozite, i llojit totalitar që e pranon pluralizmin por e shtyp atë.

Në të dy rastet pushteti është në duart e një njeriu. Kush i ka studiuar ka gjetur se më e keqja e të gjitha formave është jo ajo që e mbush vendin me burgje, kampe. Por ajo e diktaturës së bandave. Nuk ka asnjë rregull, asnjë ligj. Nuk respekton asnjë normë. Asnjë standard. Ajo vërtetë në dallim nga e para nuk ekzekuton, por kjo ekzekuton shpresën. Largon njerëzit sa asgjë tjetër nga Shqipëria dhe vendi.

Nga viti 2014, në 2023, vetëm në Shengen kanë emigruar 1 mln e 100 mijë shqiptarë. 700 mijë të rinj. Rriten në Shqipëri, por ëndrrën shqiptare nuk e ndërtojnë në Shqipëri. Dhe ne pakësohemi, pakësohemi. Në atë shkallë saqë që të gjithë nga OKB, dhe çdo tjetër shqiptarët i shikon si një komb në zhdukje. Që sot kanë lindur atë numër fëmijësh që lindte 100 vite më parë.”– tha Berisha.