Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në ceremoninë inauguruese të fluturimit të parë Tiranë-Toronto.

Gjatë fjalës së tij Rama njoftoi se është hapur gara për projektin e aeroportit të Gjirokastrës dhe tha se ai do jetë një aeroport sezonal. Ai shtoi se Shqipërisë i duhen sa më shumë resorte turistike të gamës së lartë sepse sipas tij janë investime në arkën e shtetit shqiptar.

Ai shprehu gjithashtu se vonesat në aeroportin e Vlorës nuk kanë ndodhur për shkak të shtetit, por për shkak të problemeve të brendshme të kompanisë përgjegjëse.

Jemi sot në një moment shumë të rëndësishëm edhe për faktin se tanimë Shqipëria e ka përmbyllur një fazë të re transformimi në turizëm dhe duhet të hyjë me patjetër në një fazë tjetër transformimi. Përpara se të vija këtu, po shikoja disa të dhëna dhe një sërë shifrash krahasimore, qoftë me të djeshmen, qoftë edhe me rajonin dhe më gjerë dhe një prej grafikëve që pashë dhe që ishte shumë kuptimplotë, ishte grafiku që tregon se si, aritmetikisht, ne kemi arritur pikërisht në momentin kur duhet të synojmë të hapim kapitullin e turizmit të gamës së lartë, të turizmit të konsumatorit të pasur, të turizmit që sjell më tepër të ardhura për një numër shumë më të vogël njerëzish. Dhe ai grafik e tregon më së miri që rritja e vazhdueshme e numrit të turistëve që janë në kategorinë e turizmit masiv nuk sjell një rritje po të vazhdueshme të të ardhurave, por të ardhurat fillojnë edhe shkojnë në një grafik tjetër, në një trend tjetër, shumë shumë të ngadaltë rritjeje. Ama, nëse pastaj krahasojmë të ardhurat që rriten shumë ngadalë me shpenzimet që rriten shumë shpejt, si rezultat i rritjes së shpejtë të numrit të turistëve të masës, që do të thotë shumë më tepër presion mbi trafikun, shumë më tepër presion mbi sistemin tonë të pastrimit, shumë më tepër presion mbi përpunimin e mbetjeve, shumë më tepër presion mbi sistemet e ujit dhe të kanalizimeve dhe, patjetër, edhe nuk diskutohet, shumë më tepër presion tërësor mbi mjedisin, atëherë llogaria është shumë e thjeshtë.

Dhe është një llogari e thjeshtë për të gjithë ata që bien pre e një të menduari në dukje të drejtë, por në thelb tërësisht të gabuar që: “Për çfarë na duhet ne turizmi i gamës së lartë? Për çfarë na duhet ne? Për çfarë na duhen ne resortet ku vijnë ata që janë të pasur, kur ne nuk kemi akses në to?”. Në fakt, e kundërta është e vërtetë. Na duhen sa më shumë nga ato, për të pasur sa më shumë të ardhura për ne, për të pasur sa më shumë të ardhura për komunitetin, për ekonominë, për biznesin dhe, natyrisht, pastaj për arkën e shtetit.

Kështu që jemi në këtë pikë: do të vazhdojmë të sjellim më shumë turistë, por ajo çka tanimë ne jemi shumë të qartë se si duhet t’i qasemi, është të sjellim më tepër të ardhura në familjet shqiptare dhe në arkën e përbashkët të shtetit shqiptar.

Në mbyllje, dua të shtoj se ka një projeksion profesional dhe shumë të qartë, po ashtu, për sfidën që kemi përpara, që është projeksioni i numrit të pasagjerëve që potencialisht do të hyjnë në Shqipëri në një dekadë më tutje dhe i numrit të fluturimeve që do duhet t’i përgjigjen këtij numri pasagjerësh. Kjo do të thotë që duhet të vazhdojmë të zgjerojmë sistemin tonë të aviacionit civil.

Të gjithë janë të informuar për disa vonesa të shkaktuara jo për shkak të shtetit apo për ndonjë fatkeqësi natyrore, por për shkaqe tërësisht të brendshme të kompanisë në aeroportin e Vlorës. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndërmarrë hapat e duhur në këtë drejtim dhe objektivi ynë mbetet i palëvizshëm: që aeroporti i Vlorës, një tjetër aeroport ndërkombëtar me një potencial shumë të madh, do të hapet me patjetër dhe nuk do të jetë pre e mosmarrëveshjeve brenda përbrenda kompanisë.

Jemi në fazën e përgatitjes së fundit për të çelur garën për aeroportin e Gjirokastrës, i cili do të jetë ndryshe nga Tirana dhe Vlora: një aeroport turistik dhe kryesisht sezonal. Dhe, pa diskutim që, nuk kemi asnjë arsye të heqim dorë nga zhvillimi i mëtejshëm i aeroportit të Kukësit, edhe pse, kur vjen puna tek marrëveshjet për linjat ajrore, ato janë marrëveshje private që zhvillohen në një nivel të interesit të kompanive dhe të vetë aeroportit.

Dhe e fundit fare është që ne e kemi nisur këtë detyrë me vetëm 6.5% të popullsisë shqiptare që kishte akses në aviacion. Pra, vetëm 6.5% e shqiptarëve udhëtonin me avion ose mund të merrnin një avion kur ne e kemi nisur detyrën. Ndërkohë, sot që flasim, shifra ka shkuar në afro 40% e shqiptarëve që përdorin avionin. Është rezultat i hapjes së konkurrencës pas përfundimit të atij koncesionit të mëparshëm dhe të trashëguar, që e bënte të shtrenjtë, për hir të së vërtetës, fluturimin nga Shqipëria dhe për në Shqipëri, por pa diskutim edhe falë rritjes së të ardhurave të shqiptarëve, që është një fakt që mund ta diskutojmë dhe mund të diskutohet sipas dëshirës, por që, si çdo fakt, është i paluftueshëm nëse u referohesh të dhënave.

Falënderoj të gjithë dhe një falënderim të veçantë për ambasadoren e Kanadasë.

Nuk kam asnjë falënderim për përfaqësuesit e kompanisë. Përfaqësuesi i kompanisë ka ardhur këtu për të fituar para, edhe ne e mirëpresim dhe, patjetër, që na vjen shumë mirë, sepse sa më shumë të fitojë kompania, aq më shumë do të rritin fluturimet. Po falënderim nga unë, jo. Nuk keni bërë asnjë sakrificë, madje jeni dhe vonë, se duhet të kishit ardhur më përpara, por prapë jeni më përpara se ata që do të vijnë më mbrapa. Falënderimin e kam për ambasadoren, që ka bërë rrugë për të ardhur deri këtu. Dua të falënderoj të gjithë punonjësit e aeroportit, falënderoj të gjithë punonjësit e sigurisë, falënderoj gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit që shërbejnë këtu në aeroport. Në të gjitha kuptimet, mund të them që edhe nga pamja e raporteve njerëzore aeroporti është një vend tjetër. Jo se nuk ka momente që nuk janë mjaftueshmërisht të kënaqshme në komunikim, por gjithsesi, kur mendon se deri dje vije në Shqipëri, futeshe në aeroportin e vendit tënd dhe të shikonte polici më keq sesa të shikonin policët e aeroporteve të vendeve të tjera, që edhe ata nuk të shikonin mirë, sot besoj që kemi arritur një sukses historik, sepse kemi policë të buzëqeshur. E paimagjinueshme deri jo shumë vite më parë”, tha kryeministri Rama.

Top Channel