Policia italiane ka vënë në pranga një grup grabitësish shqiptarë në zonën e Forlìt, pas një hetimi të gjatë që çoi në identifikimin e autorëve të disa grabitjeve të dhunshme, me objektiv persona që mbanin sende me vlerë, kryesisht orë luksoze.
Ngjarja që çoi në zbardhjen e plotë të veprimtarisë së grupit ndodhi në muajin shtator. Viktima ishte një burrë që po largohej nga një klub nate në Meldola dhe u sulmua brutalisht pranë makinës së tij. Ai u godit me grushte dhe shqelma, ndërsa grabitësit i rrëmbyen me forcë orën “Rolex”. Në fillim, rasti u konsiderua si një konflikt i çastit, por hetimet zbuluan se bëhej fjalë për një veprim të planifikuar.
Sipas autoriteteve italiane, sulmi u krye nga dy persona që prisnin viktimën në rrugë, ndërsa një i tretë qëndronte pak më tutje për të vëzhguar zonën. Të tre autorët janë shtetas shqiptarë, të moshave 22, 26 dhe 47 vjeç. Dy më të rinjtë, të cilët nuk kishin banim në Itali, janë dërguar në burg, ndërsa 47-vjeçari, rezident në zonë, është vendosur në arrest shtëpie.
Hetuesit kanë arritur në përfundimin se grupi synonte persona që shfaqnin aksesorë të shtrenjtë, veçanërisht orë me vlerë të lartë, duke përdorur dhunë për t’ua marrë. Autoritetet italiane kanë bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë, pasi dyshohet se e njëjta bandë mund të ketë kryer edhe grabitje të tjera në zonën përreth.