Instituti i Arsimit Ndërkombëtar: Shkak, ekonomia e dobët për të përballuar studimet
Shpresa Mezini
Reduktohet numri i studentëve shqiptarë që mësojnë në universitetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Duke iu referuar raportit vjetor “Dyert e Hapura 2012”, të zhvilluar nga Instituti Ndërkombëtar i Arsimit, rezulton se numri i studentëve shqiptarë të regjistruar në universitetet që operojnë në SHBA për vitin 2011-2012 ka pësuar rënie nga 697 në 659. Kështu, sipas studimit, Shqipëria listohet në vendin e parë në radhën e shteteve që e kanë ulur interesin për arsimim në Amerikë. Ndërsa shkaqet që kanë nxitur këtë ulje të ndjeshme, sipas institutit të arsimit ndërkombëtar janë kushtet e vështira ekonomike, apo mundësi më të mira punësimi në atdhe. Sipas tij, rënia konsiston në rreth 4.4 për qind krahasuar me një vit më parë. Në raport theksohet se rënie të të rinjve që zgjedhin një nga universitetet që ndodhen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës regjistrohet edhe në shtete të tjera, jo vetëm në Shqipëri. Ndërsa sqarohet se ka pasur rritje të konsiderueshme të studentëve që vijnë nga vende të tjera të botës.
“Pati rritje në numrin e studentëve nga 12 prej 25 vendeve kryesuese në listën sipas vendit nga vijnë, përfshirë këtu Brazilin, Kinën, Francën, Indonezinë, Iranin, Meksikën, Rusinë, Arabinë Saudite, Spanjën, Mbretërinë e Bashkuar, Venezuelën dhe Vietnamin. Në të njëjtën kohë, numri ra për disa vende kryesore që dërgonin studentë, përfshirë Indinë (rënie me 4%), Shqipërinë (me 4.4%), Korenë e Jugut (me 1%) dhe Japoninë (me 6%)”, thuhet në raportin “Dyert e Hapura 2012”. Ndërsa raportohen shifra mbi lëvizshmërinë akademike ndërkombëtare, në raportin e zhvilluar në bashkëpunim me byronë e çështjeve të arsimit në Departamentin e Shteteve të Bashkuara, përmenden edhe faktorët që kanë ndikuar në uljen apo rritjen e të rinjve që zgjedhin këto shtete për të ndjekur studimet e larta, për çdo lloj niveli.
“Ndër faktorët që shkaktojnë këto ulje mund të jenë faktorë ekonomikë, globalë, mundësi më të mira për arsimin e lartë në vendin e lindjes, apo probabilitet më të lartë punësimi, fill pas diplomimit”, thuhet në studim. Kështu, sipas tij, shkaqet që detyrojnë të rinjtë të mos largohen nga vendi i tyre janë ekonomi e dobët apo mundësi hapjeje vendesh pune, mundësi që ua ka krijuar vetë shteti i tyre, pa u lënë hapësirë të udhëtojnë drejt shteteve të tjera, qoftë edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që prej vitesh është e preferuar nga të rinjtë në të gjithë botën.
Në raportin “Dyert e Hapura“ të këtij viti konstatohet se numri i përgjithshëm i studentëve ndërkombëtarë në universitete në Shtetet e Bashkuara u rrit me 6%, duke arritur në 764,495 gjatë vitit akademik 2011/’12. “Kjo shifër e vitit 2011-2012 shënon vitin e gjashtë radhazi, që raporton shtim të numrit të përgjithshëm të studentëve të huaj në arsimin e lartë në SHBA. Aktualisht numërohen 31 për qind studentë të huaj më shumë që studiojnë në universitete në SHBA në krahasim me sa kishte një dhjetëvjeçar më parë. Një rritje e ngjashme në numrin e studentëve të huaj ‘të rinj’, ata që u regjistruan për herë të parë në këto universitete në vjeshtën e vitit 2012, tregon se kjo prirje rritjeje është në vazhdim. Regjistrimet e reja në vitin 2011 kishin rritje me 7% nga viti i mëparshëm. Pavarësisht kësaj rritjeje të madhe, studentët e huaj përbëjnë më pak se 4% të regjistrimeve të përgjithshme në arsimin e lartë në SHBA”, saktësohet në raportin e institutit të arsimit ndërkombëtar. Sipas tij, rritja nxitet kryesisht nga shtimi i madh i numrit të studentëve nga Kina, veçanërisht në nivelin universitar, shifër që arrin në 31%.
Raporti – Bie me 4.4 për qind numri i të rinjve shqiptarë që zgjedhin Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të ndjekur studimet e larta
Arsyeja – Faktorët që kanë ndikuar në uljen e numrit të prurjeve në shtete si: Shqipëri, Indi, Japoni apo Korenë e Jugut është varfëria
Rritja – Shtimi nxitet kryesisht nga rritja e madhe e numrit të studentëve prej Kinës, veçanërisht në nivelin universitar, shifër që arrin në 31%