
Emigrantët shqiptarë që hyjnë ilegalisht në Britaninë e Madhe janë kthyer në temë kryesore prej disa ditësh.
“Daily Mail” i ka kushtuar një artikull ditën e sotme rrugës që ndjekin ata, teksa raporton se më shumë se 12,000 shqiptarë kanë mbërritur në Britani deri më tani këtë vit. Nga kjo shifër, rreth 10,000 shqiptarë mendohet se janë të rinj beqarë. Prestigjozja britanike thekson ndër të tjera se nga ata që kërkojnë azil, vetëm 12 % janë të suksesshëm dhe kjo është një nga normat më të ulëta të çdo kombësie.
Në artikull më tej përmendet shpopullimi i vendit, teksa citohet raportimi i gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliut nga një shkollë.
“Nëse shkoni në një shkollë të mesme në veri të Shqipërisë dhe fëmijëve u kërkohet të përshkruajnë se si e shohin të ardhmen e tyre, të gjithë djemtë vizatojnë një kamion ose një varkë me një flamur shqiptar që shkon në MB. Ata e dinë se sa mirë po ecin të afërmit e tyre – ata punësohen në MB dhe janë vendosur. Ata mendojnë, ‘pse duhet ta humbim kohën tonë në veri të Shqipërisë duke mos bërë asgjë? Le të shkojmë në Mbretërinë e Bashkuar, të punojmë dhe të kthehemi me një makinë të mrekullueshme si të tjerët që shkuan para nesh.’”-raportonte Veliu.
“Udhëtimi që shqiptarët bëjnë shpesh fillon në zona më të varfra si qyteti i Kukësit në verilindje të vendit. Trafikantët e qenieve njerëzore paguajnë nga 3,500 deri në 15,000 paund për person dhe i reklamojnë shërbimet e tyre në TikTok, me dhjetëra video që tregojnë shqiptarët duke bërë kalimin.”- thuhet në artikull.

Ndër të tjera përmendet dhe një raport i Bankës Botërore, i cili thekson se papunësia mbetet e lartë në veri dhe pagat mesatare vetëm 442 paund në muaj.
Kuptohet se personat pa precedentë penalë kanë tendencë të fluturojnë drejt Brukselit, ndërsa të tjerët lëvizin me furgona nëpër Serbi, Hungari, Gjermani dhe Francë. Shqiptarët gëzojnë udhëtimin pa viza me BE-në që nga viti 2010, duke e bërë këtë udhëtim shumë më të lehtë, thuhet në artikull.