Shqiptarët e arratisur nga burgjet greke u përpoqën të lirojnë Alket Rizain, i cili ka mundur të arratiset dy herë. Sipas mediave greke, ata kishin planifikuar të ndihmonin edhe në arratisjen e Alket Rizait nga burgu i Dhomokos, duke kryer një sulm të armatosur dhe duke shpërthyer murin e jashtëm rrethues, për ta ndihmuar atë të linte burgun. Në këtë përfundim është arritur, pas analizës së një bisede mes Rizait dhe njerëzve që ndihmuan në arratisjen e Trikalas në mars të këtij viti. Policia e lidh këtë me përplasjen e armatosur që ndodhi dy ditë më parë mes të arratisurve dhe oficerëve të policisë në zonën e Artës, ku shqiptarët hapën zjarr, ngjarje që sipas policisë, e pengoi planin e tyre dhe i detyroi të vazhdojnë rrugën në zonën drejt kufirit.
Sipas të dhënave të djeshme, shqiptarët ndodhen në zonën e lumit Aheronda dhe Kalama dhe policia mendon se ata kanë dy rrugë për t’u larguar, nëpërmjet lumit të rrëmbyer ose nga toka. Policia ka vënë në gatishmëri edhe forcat policore të zonës pranë Janinës e Igumenicës. Në të njëjtën kohë, në zonën detare afër Prevezës ka anije patrullimi të Igumenicës për të parandaluar arratisjen e mundshme të shqiptarëve nga deti. Mendohet se personat që kërkohen nga policia janë Marian Kola, Ilir Kupa, Flaulant Luli dhe Fatos Sulaj. Ermal Lita është arrestuar më herët, pasi së bashku me Admir Murataj kryen një grabitje në një supermarket në Peristeri. Murataj i shpëtoi arrestimit dhe së bashku me Klement Calën grabitën rreth 1 mln euro në bankën e Larisës. Policia nuk është në gjendje të thotë nëse këta të dy janë arratisur në Shqipëri apo diku gjetkë. I teti i arratisur nga burgu i Trikalas ishte 25-vjeçari Edison Lika, i cili së bashku me xhaxhanë e tij Flamur Lika mbeti i vrarë në përpjekje me policinë mbrëmjen e 2 korrikut. Policia iu faturon shqiptarëve të arratisur dy vrasje që kanë ndodhur gjatë shkëmbimit të zjarrit me ta; atë të 25-vjeçares Katerina Zogali, e cila kalonte rastësisht në Istmia, ndërsa më 17 qershor, të vrasjes së policit 37-vjeçar Jorgo Andritsopulu në Distomo.
