Eurodeputeti bullgar me origjinë nga Korça, Andrey Kovatchev, ka reaguar lidhur me protestat e fundit në Shqipëri, duke theksuar se shprehja e pakënaqësive qytetare është pjesë e demokracisë dhe se dialogu mbetet mënyra më e mirë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike.

Gjatë një vizite në Shqipëri së bashku me një delegacion nga Parlamenti Bullgar, Kovatchev vlerësoi progresin e bërë nga vendi në rrugën drejt integrimit evropian dhe shprehu mbështetjen për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Jemi shumë të kënaqur që ndodhemi përsëri në Shqipëri. Javën e ardhshme në Strasburg do të miratojmë raportin vjetor të zgjerimit për Shqipërinë. Ne e mirëpresim progresin e bërë dhe faktin që të gjitha partitë shqiptare mbështesin integrimin evropian”, deklaroi ai.

I pyetur nëse protestat mund të ndikojnë në procesin e integrimit, eurodeputeti tha se zhvillimet po ndiqen me vëmendje nga institucionet evropiane, por theksoi se zgjidhja duhet të vijë nga vetë politika shqiptare.

“Është mirë të dëgjohet zëri i popullit, nëse gjithçka zhvillohet në mënyrë të qetë dhe paqësore. Thirrja jonë për të gjitha partitë, si ato në pushtet ashtu edhe në opozitë, është të dëgjojnë njëra-tjetrën dhe të gjejnë zgjidhjen më të mirë për qytetarët”, u shpreh Kovatchev.

Sipas tij, prioriteti kryesor duhet të mbetet anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar vendin një aleat të rëndësishëm në NATO dhe duke shprehur shpresën se Shqipëria do të bëhet së shpejti pjesë e familjes evropiane.

Në përfundim, eurodeputeti i bëri thirrje qeverisë dhe klasës politike shqiptare të dëgjojnë shqetësimet e qytetarëve dhe të respektojnë standardet ligjore dhe demokratike, duke nënvizuar se Parlamenti Evropian mbështet dialogun dhe bashkëpunimin mes palëve politike në vend.