Takimi


Presidenti vlerëson punën e SHISH dhe të prokurorisë


nishani visho ajazi likaPresidenti i Republikës, Bujar Nishani i kërkoi Shërbimit Informativ Shtetëror dhe organeve të hetimit shpejtësi në punën e tyre për të goditur dhe për të parandaluar fenomenin që po shfaqet frikshëm në Shqipëri, ai i shqiptarëve që luftojnë në Siri. Kryeprokurori Adriatik Llalla, kreu i SHISH, Visho Ajazi Lika, dhe Prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beci, u ulën dje në tryezën e thirrur nga ana e kreut të shtetit, ku qëllimi i takimit, sipas njoftimit zyrtar, ishte informimi mbi goditjen dhe parandalimin e veprimtarisë së grupeve radikale për dërgimin e qytetarëve shqiptarë në luftën në Siri. “Presidenti Nishani u informua për iniciativat ligjore që po ndërmerren në mënyrë që në të ardhmen ky fenomen të jetë i ekspozuar ligjërisht në ndihmë të Sigurisë Kombëtare të vendit. Duke kërkuar shpejtësi dhe cilësi në hetim dhe bashkëpunim të ngushtë me partnerët, Presidenti i Republikës vlerësoi punën e kryer deri më tani nga organet kompetente ndaj fenomeneve që lidhen me organizimin, financimin dhe dërgimin e shtetasve shqiptarë për të luftuar në Siri”, thuhet në njoftimin për shtyp. Çështje të tjera të diskutuara janë edhe ato të luftës kundër korrupsionit. “Presidenti Nishani shprehu mbështetjen e plotë për gjithçka që ka lidhje me këtë proces, por edhe me procese të tjera që kanë të bëjnë me forcimin e sigurisë kombëtare dhe luftën ndaj korrupsionit”, thuhet në njoftimin për shtyp. Biseda mes këtyre tre drejtuesve dhe Presidentit zgjati një orë. Kreu i shtetit e organizoi këtë tryezë, pas takimit që pati disa ditë më parë me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, ku në fokus ishin përplasjet e krijuara me Shërbimin Informativ Shtetëror. Pas këtij takimi, Tahiri kërkoi që Presidenti në lidhje me mënyrën e bashkëpunimit mes Ministrisë së Brendshme dhe SHISH, të qëndrojë mbi palët. Ndërsa Presidenti, sipas njoftimit për shtyp, i kërkoi Tahirit të shmangë konfliktet verbale me SHISH. Ministri Tahiri pati shprehur shqetësimin e tij në deklaratat publike se SHISH nuk ka dhënë asnjë informacion në lidhje me ngjarjet e fundit të krijuara në Shqipëri, duke shtuar se bashkëpunimi me shërbimin sekret shqiptar nuk ka qenë në cilësinë e duhur. Tahiri ndërkohë depozitoi dhe dosjen me shkëmbimin e informacionit mes Ministrisë së Brendshme dhe SHISH, si në Presidencë, ashtu dhe në Komisionin Parlamentar të Sigurisë.