Prokuroria e Posaçme e SPAK ka kërkuar 13 vite burg për biznesmenin Rezart Taçi, i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar, i akuzuar si anëtar i një grupi kriminal që pastronte miliona euro të mafias italiane.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, raporton se kryeprokurori i SPAK, Klodian Braho, veç dënimit të Taçit, kërkoi edhe konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të rreth 18 milionë eurove, të përfituara nga pastrimi i parave.

Në pretencën e zbardhur nga gazetarja Anila Hoxha, që u deklarua në gjykatë, flitet për planin në bashkëpunim me Francesco Zummo dhe Fabio Petruzzella, ndërsa përmendet një episod kur një transfertë u bllokua dhe pala italiane flet me bashkëpunëtorët e Taçit.

Nga përgjimet rezulton se Zummo dhe Petruzzella nuk kanë mundur që të kryejnë fazën e tretë të qëllimit të tyre kriminal, për të transferuar fondet nga Shqipëria në drejtim të shteteve të tjera.

Lëvizja e fondeve u bllokua pasi u vendos sekuestrimi i tyre. Personat nuk kanë pasur dijeni për masën e sekuestrimit, por në bisedat e tyre besonin se bllokimi i fondeve ka ardhur për shkak të Drejtorisë kundër Pastrimit të Parave.

Për të zgjidhur këtë problem, i pandehuri Rezart Taçi dhe kunati i tij Artur Balla, shumë herë u kanë siguruar shtetasve italianë se po bëjnë gjithçka për zgjidhjen e situatës dhe se u janë drejtuar me anë të një ndërmjetësi funksionarëve publikë të institucioneve shqiptare.

Konkretisht janë zhvilluar bisedat e mëposhtme në datën 9 tetor të vitit 2021 mes Fabio Petruzzella dhe Artur Ballës.

Petruzzella: Artur..
Artur: miku im, si je?
Petruzzella: mirë… ti?
Artur: të pashë vetëm tani se isha në shtëpinë e plazhit me familjen, se ai më shkroi dje se është në Mal të Zi dhe kthehet nesër..
Petruzzella: hëm… ok.
Artur: dhe tha se, meqë ishte fundjavë, kthehet nesër.
Petruzzella: po Artur, duhet të dalim nga ky lëmsh… në një mënyrë apo tjetër.
Artur: po unë jam i pari që jam i interesuar prej shumë kohësh dhe mora këtë përgjegjësi.
Petruzzella: po të them…. më tha gjyshi se, nëse deri të mërkurën nuk e zgjidhim këtë gjë, unë duhet të vij atje dhe të ritransferoj gjërat në Zvicër, se nuk ka më besim.
Artur: e kuptova… e kuptova.
Petruzzella: e… bravo.
Artur: unë po pres vetëm një telefonatë të tij…. do ta takoj dhe do t’i them direkt, ok shoku?
Petruzzella: ok, në rregull, nuk ka më….
Artur: ka të drejtë se u bënë tre muaj…
Petruzzella: tamam… është evidente që nuk është vullneti për ta bërë… domethënë është një tallje…. dhe mua nuk më pëlqen që të ma…. jo nga ti… kujdes…… si quhet?? Nga vëllai i madh….. por ky po tallet me ne.
Artur: e zgjidh unë këtë punë këtë javë.
Petruzzella: hëmm… ma bëj këtë nder…. se unë ta thashë, të mërkurën ndryshe do më duhet të vij dhe nuk e kam me dëshirë…. e kupton.. apo jo..
Artur: ok.

Në datën 18.10.2021, midis Fabio Petruzzella dhe bashkëshortes së tij Marina Tizzi, është kryer biseda si më poshtë:

Petruzzella: Drejtori i bankës… “gjërat janë…. nuk ishte… nuk janë… u komplikuan …. më pas”.
Marina: por paratë nuk t’i sjellin.
Petruzzella: jo, çfarë thua, është bankë greke.
Petruzzella: mendoj se shqiptarët janë tallur, se duan të gjitha paratë që ai më kërkoi mua… i duan të 3 milionë eurot…. 3 milionë duan… dhe kaq… kështu! Ja, se janë çmendur…. pra po e bëj falas… kupton? Dhe kështu i rëndon…. aq sa unë nuk di, në rregull e bëjmë me… me Bahamas…. ti nuk e kupton shumë këtë…. apo jo?
Marina: është e qartë vetëm nëse…
Petruzzella: domethënë Bahamas humbën.
Marina: po, por…
Petruzzella: sepse me vendim përfundimtar.
Marina: por mos prek gjë te Bahamas, para se të sjellësh në shtëpi këtë, apo jo?
Petruzzella: sigurisht, Bahamas. I thashë “duhet të bindësh klientin që kushton 50% që është më mirë se zero, apo jo?”…//TCH