Shqiptarët e dënuar janë kthyer në problem në një burg në Spanjë, pasi janë përfshirë në përleshje të dhunshme me disa marokenë.
Sipas mediave spanjolle, ngjarja ka ndodhur në burgun e Almerias, në modulin 7 dhe përfshiu një përballje të dhunshme midis të burgosurve me origjinë marokene dhe shqiptare, gjatë së cilës u hodhën tavolina, karrige dhe objekte të tjera, duke krijuar një situatë shumë të tensionuar. Si rezultat i përplasjes, disa të burgosur u plagosën dhe kërkuan trajtim në infermierinë e institucionit. Pas këtij trajtimi fillestar, shtatë të burgosur u transferuan në njësinë e izolimit për të siguruar sigurinë dhe funksionimin normal të institucionit. Për fat të mirë, nuk u raportuan të lënduar midis anëtarëve të stafit që morën pjesë në operacionin për të shuar trazirat.
