Një kontroll rutinë i karabinierëve është shndërruar në një ndjekje të rrezikshme nëpër rrugët e Padovës, pasi një 57-vjeçar shqiptar refuzoi të ndalonte automjetin dhe tentoi t’u largohej forcave të rendit.
Ngjarja është regjistruar gjatë orëve të para të së hënës. Sipas mediave italiane, shqiptari ndodhej në drejtimin e një “Ford Focus” kur karabinierët i bënë shenjë të ndalonte për kontroll. Në vend që t’i bindej urdhrit, ai dyshohet se shtoi shpejtësinë dhe u largua.
Menjëherë pas kësaj nisi ndjekja, e cila u zhvendos në disa zona të qytetit. Gjatë tentativës për t’u shpëtuar patrullave, 57-vjeçari raportohet se ka hyrë në sens të kundërt në disa segmente rrugore dhe ka kaluar me automjet edhe mbi trotuare, duke krijuar rrezik për efektivët dhe përdoruesit e tjerë të rrugës.
Arratisja përfundoi në rrugën Guasti, ku ndërhyrja e koordinuar e karabinierëve dhe policisë bëri të mundur bllokimin e automjetit.
Pas ndalimit, autoritetet kryen testin e alkoolit ndaj drejtuesit. Sipas raportimeve, rezultati ishte 2.2 gramë për litër, një nivel dukshëm mbi kufirin e lejuar. Gjatë kontrollit të sendeve personale të tij, policia gjeti gjithashtu një kaçavidë.
Situata mbeti e tensionuar edhe pas ndalimit të makinës. Një prej personave që udhëtonte si pasagjer dyshohet se kundërshtoi efektivët dhe goditi njërin prej tyre në kraharor. Edhe ndaj tij autoritetet nisën procedim.
Në automjet ndodhej gjithashtu një shtetas rumun, i cili u procedua për shkak të gjendjes së dukshme të dehjes në publik.
57-vjeçari shqiptar përfundoi në pranga me akuzën e rezistencës ndaj një zyrtari publik, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë edhe masa të tjera administrative ndaj tij.
Sipas mediave italiane, duke marrë në konsideratë edhe precedentët e mëparshëm të shqiptarit, kanë nisur procedurat për të vlerësuar mundësinë e revokimit të lejes së tij të qëndrimit në Itali.
