Dorian Puka, 29-vjeçari shqiptar me precedentë penalë për vjedhje në Britaninë e Madhe, është rikthyer në vëmendjen e mediave britanike për shkak të jetës luksoze që reklamon në rrjetet sociale, ndërkohë që përballet me një tjetër procedurë deportimi.
Sipas një artikulli të publikuar nga gazeta britanike “The Telegraph”, shqiptari, i cili është dënuar dhe dëbuar dy herë nga Mbretëria e Bashkuar, ka ekspozuar në Instagram një koleksion orësh të shtrenjta, vlera e përgjithshme e të cilave përllogaritet në rreth gjysmë milioni paund.
Fotografitë e publikuara prej tij tregojnë ora të markave më prestigjioze në botë, automjete luksoze dhe ambiente ekskluzive. Këto postime kanë tërhequr vëmendjen e mediave britanike, të cilat ngrenë pikëpyetje mbi burimin e pasurisë së 29-vjeçarit.
Mes aksesorëve të ekspozuar spikat një Rolex Cosmograph Daytona “Le Mans”, i prodhuar në ar 18 karatësh, me një vlerë të përllogaritur prej rreth 145 mijë paundësh.
Në një tjetër fotografi, Puka shfaqet me tre ora Rolex Day-Date 36, gjithashtu prej ari 18 karatësh, çmimi i të cilave varion nga 33 mijë deri në 45 mijë paund për secilën.
Koleksioni i publikuar përfshin edhe dy modele Patek Philippe Aquanaut, të cilat vlerësohen nga 65 mijë deri në 80 mijë paund secila.
Në një prej postimeve, 29-vjeçari ka shoqëruar fotografinë e një ore Rolex me një mesazh që ka tërhequr vëmendje: “Dikur isha i varfër, të kujtohet?”.
Por përtej jetës së luksit që shfaq në internet, shqiptari ka një histori të gjatë përballjesh me drejtësinë dhe autoritetet britanike të emigracionit.
Sipas “The Telegraph”, Puka është dënuar dy herë me burg për vepra penale që lidhen me vjedhjet dhe është deportuar po dy herë nga territori britanik. Megjithatë, ai ka arritur të rikthehet në Mbretërinë e Bashkuar.
Një nga episodet e dokumentuara daton në vitin 2016, kur shqiptari u arrestua pasi tentoi të hynte në një banesë për të vjedhur. Pronari i shtëpisë, i cili në atë kohë ndodhej me pushime në Francë, e kishte zbuluar përmes kamerave të sigurisë.
Për këtë ngjarje, Puka u dënua me nëntë muaj burg, ndërsa në vitin 2017 u deportua drejt Shqipërisë.
Tashmë, 29-vjeçari ndodhet sërish përballë një procedure dëbimi nga autoritetet britanike, ndërsa postimet e tij në rrjetet sociale kanë rikthyer debatin mbi rastin e tij dhe mënyrën se si ka arritur të hyjë përsëri në vend pas deportimeve të mëparshme.
