Një shqiptar i dënuar për trafik droge në Britaninë e Madhe ka humbur betejën ligjore për të shmangur dëbimin drejt Shqipërisë. Ai kishte argumentuar se largimi i tij do të ndikonte rëndë në shëndetin mendor të partneres rumune, e cila vuan nga ankthi, depresioni dhe çrregullimi i deficitit të vëmendjes dhe hiperaktivitetit (ADHD).
Sipas medias britanike GB News, bëhet fjalë për 37-vjeçarin Eugert Pulaj, i cili kishte hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin britanik në vitin 2019.
Në qershor të vitit 2024, Pulaj u dënua me dy vite e katër muaj burg, pasi policia londineze e arrestoi me 24 qese kokainë. Ai u shpall fajtor për posedim të lëndëve narkotike me qëllim shpërndarjen e tyre.
Pas vendimit penal, autoritetet britanike nisën procedurat për dëbimin e tij, por shqiptari iu drejtua drejtësisë, duke pretenduar se largimi do të cenonte të drejtën e tij për jetë familjare.
Në qendër të argumenteve të mbrojtjes ishte gjendja shëndetësore e partneres së tij, një shtetase rumune me leje të rregullt qëndrimi në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas avokatëve, gruaja përballej me probleme të shëndetit mendor dhe kishte krijuar një varësi të konsiderueshme emocionale nga Pulaj. Ata pretenduan se prania e tij ishte thelbësore për stabilitetin psikologjik të partneres dhe se komunikimi përmes telefonit apo mesazheve nuk mund ta zëvendësonte mbështetjen e përditshme.
Megjithatë, argumentet nuk bindën gjykatën, e cila vlerësoi se marrëdhënia e çiftit mund të vazhdonte edhe pas kthimit të shqiptarit në vendlindje.
Sipas trupës gjykuese, partnerja kishte mundësinë të zhvendosej në Shqipëri, ku Pulaj dispononte një banesë familjare. Një alternativë tjetër ishte që ajo të qëndronte në Britani dhe të ruante marrëdhënien përmes vizitave dhe komunikimit në distancë.
Gjykata pranoi se lidhja mes tyre ishte e vërtetë dhe se 37-vjeçari luante një rol mbështetës në jetën e partneres. Megjithatë, vlerësoi se këto rrethana nuk mjaftonin për të penguar dëbimin, duke i dhënë përparësi interesit publik.
Në shqyrtimin e çështjes u morën parasysh hyrja e paligjshme e Pulajt në Britani, dënimi i tij për shpërndarje droge, si dhe një shkelje tjetër e kryer gjatë periudhës së lirimit me kusht.
I pakënaqur me vendimin, shqiptari ndërmori një tjetër përpjekje ligjore. Përmes apelit, ai pretendoi se gjykata nuk kishte analizuar në mënyrë të mjaftueshme problemet psikologjike të partneres dhe ndikimin që do të kishte ndarja në mirëqenien e saj.
Mbrojtja ngriti gjithashtu pretendimin se nuk ishte marrë në konsideratë siç duhej një raport që e klasifikonte Pulajn si person me rrezik të ulët për përsëritjen e veprave penale.
Por edhe apeli i dytë përfundoi pa sukses.
Gjykatësja Jill Frances arriti në përfundimin se vendimi i mëparshëm, i datës 15 janar 2026, nuk përmbante gabime materiale ligjore që do të justifikonin ndryshimin e tij.
Ajo theksoi se çifti kishte mundësi reale për të vazhduar jetën familjare në Shqipëri, ndërsa rreziku i ulët i përsëritjes së veprave penale nuk ishte argument i mjaftueshëm për të anashkaluar interesin publik për dëbimin e një shtetasi të huaj të dënuar.
Për rrjedhojë, gjykata la në fuqi vendimin kundër 37-vjeçarit, duke i mbyllur edhe këtë rrugë ligjore për të kundërshtuar largimin nga Britania e Madhe.
