Një operacion i zhvilluar nga autoritetet italiane ka goditur një rast të rëndësishëm të trafikut të drogës, duke çuar në arrestimin e dy personave dhe sekuestrimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike dhe parave cash.
Hetimet nisën pas dyshimeve për një garazh në Vizzolo Predabissi, i cili përdorej si pikë magazinimi për drogë. Nën vëzhgim u vendos një 27-vjeçar, lëvizjet e të cilit u monitoruan për disa ditë me radhë.
Sipas burimeve, ai u ndoq teksa lëvizte me një automjet tip fuoristradë në zona të ndryshme të Milanos, derisa mbërriti në Stezzano. Aty, pranë një zone pushimi, u regjistrua momenti kyç: mjeti u ndal pranë një kamioni me targa shqiptare.
27-vjeçari doli nga automjeti dhe mori dy çanta, të cilat rezultuan se përmbanin rreth 270,000 euro cash, duke ia dorëzuar shoferit të kamionit.
Në këmbim, ai mori dy qese plastike me një sasi të konsiderueshme droge: rreth 10 kilogramë kokainë dhe 17 kilogramë heroinë.
Menjëherë pas shkëmbimit, policia ndërhyri duke arrestuar në flagrancë të dy personat e përfshirë.
Operacioni vijoi me kontrolle të zgjeruara në disa ambiente të tjera të identifikuara gjatë hetimeve.
Në banesën e 27-vjeçarit në zonën e Lodi, u gjetën edhe 2.5 kilogramë kokainë të fshehura në një çantë shpine.
Ndërkohë, në garazhin e monitoruar më herët në Vizzolo Predabissi, brenda një automjeti, u sekuestruan edhe 3 kilogramë kokainë dhe rreth 30,000 euro cash.
