Një ngjarje e rëndë ka tronditur Greqinë, kur një shqiptar masakroi me thikë bashkëshorten e tij në Selanik dhe më pas i dha fund jetës duke u hedhur nga ballkoni i katit të dytë. Sipas raporteve të mediave greke, varrimi i gruas do të bëhet më 14 mars në Shqipëri, ndërsa i 53-vjeçarit pritet të varroset në atdhe në ditët në vijim.

Dy vajzat e çiftit, 16 dhe 21 vjeçe, të cilat humbën papritur prindërit, janë në gjendje shoku dhe ende nuk kanë mundur të japin dëshmi për ngjarjen tronditëse.

Fotot e publikuara nga autori në rrjetet sociale tregojnë momente të lumtura familjare, udhëtime, pushime dhe çaste me miqtë. Sipas vëllait të 44-vjeçares, ai tha se çifti nuk kishte pasur debate të shpeshta dhe se ishin njerëz të qetë.

Një mikeshë e ngushtë e viktimës, e cila shkonte në punë çdo mëngjes me të, tregoi se ajo kishte shprehur shqetësime për problemet me burrin, por kurrë nuk kishte dhënë detaje të mëtejshme. Ajo e përshkruante gjithmonë viktimën si një grua të buzëqeshur, e cila ballafaqohej me çdo vështirësi pa u ankuar.