Sundimtarët e rinj të Sirisë raportohet se u kanë dhënë poste të larta ushtarake disa luftëtarëve të huaj islamikë, përfshirë një shqiptari nga Maqedonia e Veriut.
Atyre u është dhënë grada e gjeneral-brigadier dhe të paktën një prej tyre ka marrë postin e kolonelit sipas raportimeve. Abdul Samrez Jashari, i lindur në Maqedoninë e Veriut, i njohur edhe si Abu Qatada al-Albani në profilin e tij në Facebook, ka shkruar se ka marrë gradën e kolonelit.
Jashari, 48 vjeç, është udhëheqës i “Xhemati Albani”, i cili është një grup militant i përbërë kryesisht nga shqiptarët etnikë. Ky grup ka aleancë me Hayat Tahrir al-Sham (HTS), grupin islamist të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, që rrëzoi nga pushteti presidentin sirian, Bashar al-Assad në dhjetor të vitit 2024. Abdul Jashari që nga viti 2016 është i sanksionuar nga SHBA-ja. Sipas vendimit të Thesarit, ky këshilltar ushtarak është sanksionuar si njëri nga liderët e Al-Nusrës, degë e Al-Kaidës në Siri, dhe ka ndihmuar në mbledhjen e fondeve për familjet e luftëtarëve të Nusrës.
Një tjetër luftëtar i huaj i emëruar kolonel u identifikua nga blogerët taxhikë, të afërt me forcat e HTS-së, si Saifiddin Tojiboev, luftëtar nga Taxhikistani. REL-i nuk ka mundur të verifikojë autenticitetin e raportimeve lidhur me emërimin e supozuar të Tojiboevit si komandant i operacioneve dhe promovimin e tij nga major në kolonel.
Një burim nga sektori i sigurisë në Taxhikistan, i tha REL-it se Qeveria e këtij shteti është në dijeni për lajmin lidhur me emërimin e ri të Tojiboevit.
Tojiboev, 41 vjeç, është person i kërkuar në Taxhikistan dhe akuzohet se ka marrë pjesë në një konflikt të huaj, se është anëtar i një organizate terroriste dhe se ka rekrutuar luftëtarë për grupe terroriste. Ai po ashtu është në listën e sanksioneve të Bankës Qendrore taxhike, ku i ndalohet që të kryejë aktivitete financiare.
“Tojiboev dhe i vëllai kanë shkuar në Siri më 2013 dhe që atëherë kanë marrë pjesë në konflikte ushtarake atje. Tojiboev po ashtu ka rekrutuar disa shtetas taxhikë që t’iu bashkohen organizatave terroriste”- thonë birime.
Tojiboev ishte anëtar i Partisë së Rilindjes Islame të Taxhikistanit (IRPT), një lëvizje dikur popullore në Dushanbe, e cila më 2015 u ndalua dhe u shpall terroriste. Kjo parti ka mohuar akuzat për terrorizëm.
HTS-ja ende zyrtarisht nuk ka bërë ndonjë deklaratë publike lidhur me emërimin në poste të luftëtarëve të huaj. Ky grup islamik është zotuar se do të aplikojë politika të moderuara sa u përket të drejtave të grave, është zotuar për pajtim kombëtar dhe raporte me komunitetin ndërkombëtar. Po ashtu, HTS-ja po tenton të krijojë një ushtri profesionale duke përfshirë persona nga fraksione të ndryshme militante që janë aleatë me të.
Në HTS bëjnë pjesë një numër i madh i luftëtarëve nga Rusia, Azia Qendrore dhe Ballkani. Shumica e tyre shkuan në Siri pasi grupi ekstremist, Shteti Islamik (ISIS) ishte njoftuar për krijimin e kalifatit në pjesë të Sirisë dhe Irakut më 2014.



