Drilon Hasaj, një 30-vjeçar shqiptar, është dënuar në Londër pasi u kap duke përdorur patentën e tij të përkohshme për të mashtruar dhe kaluar provimin teorik të drejtimit të automjetit për dikë tjetër. Ai ia dha patentën e tij një personi që e kontaktoi në Instagram, dhe ky person dha provimin në vend të tij.

Ngjarja ndodhi në qershor, kur Hasaj kërkoi nga mashtruesi që të bënte provimin teorik për të. Ky person shkoi në një qendër të Agjencisë së Standardeve të Shoferëve dhe Mjeteve (DVSA), ku dha provimin. Megjithatë, pas një kontrolli të kamerave të sigurisë, autoritetet e zbuluan se ai që dha provimin nuk ishte Hasaj.

Pasi u njoftua nga agjencia për mashtrimin, Hasaj pranoi se kishte përdorur patentën për të gënjyer dhe iu paraqit gjykatës. Avokati i tij tha se ai e kishte pranuar fajin menjëherë dhe që ky ishte një rast i vjetër, pa prirje për krime nga ana e tij.

Sipas mediave të huaja gjykata e dënosi Hasajn me një gjobë prej 1,653 paund dhe 150 orë punë të papaguar. Përveç kësaj, ai duhet të marrë pjesë në aktivitete rehabilitimi për 15 ditë, ku 8 ditë do të fokusohen në përmirësimin e aftësive të tij të menduarit.