Një vendim për të ndryshuar jetën e tij thuajse i kushtoi jetën një 25-vjeçari shqiptar në Itali. Pasi u largua nga aktivitetet e paligjshme dhe zgjodhi të punonte në ndërtim, ai dyshohet se u vu në shënjestër nga ish-bashkëpunëtorë të një grupi kriminal.
Autoritetet italiane kanë arrestuar dy shqiptarë, Luigj Makaj, 44 vjeç, dhe Armiol Gjoka, 40 vjeç, të dyshuar si autorë të atentatit. Sipas hetuesve, Makaj dyshohet se ka organizuar sulmin, ndërsa Gjoka, i njohur me nofkën “Molli”, dyshohet se ka qëlluar ndaj të riut.
Ngjarja ndodhi më 1 korrik në Mirano, pranë Venecias. Sipas hetimeve, 25-vjeçari kishte vendosur të ndërpriste shpërndarjen e drogës pasi kishte gjetur një punë në sektorin e ndërtimit. Ky vendim, sipas prokurorisë, solli fillimisht kërcënime dhe më pas një sulm të armatosur.
Hetuesit kanë zbuluar se ndaj tij kishte pasur edhe tentativa të mëparshme frikësimi. Në fund të shkurtit dhe fillim të marsit, persona të armatosur dyshohet se kishin qëlluar edhe ndaj tij dhe partneres së tij, duke i detyruar të strehoheshin në një rulotë në pronën e familjes së vajzës.
Në mbrëmjen e atentatit, dy të dyshuarit dyshohet se e ndaluan 25-vjeçarin. Ai tentoi të largohej me vrap, por u ndoq dhe u qëllua nga afër, duke mbetur i plagosur në zonën mes qafës dhe shpatullës. Sipas dosjes hetimore, njëri prej agresorëve i drejtoi armën edhe pasi ai kishte rënë në tokë, ndërsa të dy u larguan pas mbërritjes së ekipeve të emergjencës.
Pas një muaji hetimesh, të zhvilluara përmes përgjimeve, analizimit të komunikimeve dhe ndjekjeve operative, karabinierët arritën të identifikonin dhe arrestonin dy të dyshuarit.
Ata tashmë përballen me akuzën e tentativës së vrasjes dhe janë vendosur në institucione të ndryshme të vuajtjes së dënimit, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes.
