Një 28-vjeçar shqiptar, i dënuar në Britaninë e Madhe për përfshirje në prodhimin e kanabisit, ka humbur betejën gjyqësore për të shmangur dëbimin drejt Shqipërisë. Igli Hazizaj kishte pretenduar se ishte viktimë e trafikimit të qenieve njerëzore dhe se ishte detyruar nga një grup kriminal të punonte në ferma kanabisi, por gjykata britanike e ka konsideruar të pabesueshëm versionin e tij.
Vendimtare për rrëzimin e pretendimeve kanë qenë edhe disa fotografi të siguruara nga ish-partnerja e 28-vjeçarit, të cilat, së bashku me prova të tjera, kanë vënë në dyshim dëshminë e tij.
Sipas gazetës britanike “Manchester Evening News”, Hazizaj kishte deklaruar se ishte mbajtur kundër dëshirës së tij në ambiente të përshtatura për kultivimin e drogës. Ai pretendonte gjithashtu se kthimi në Shqipëri do t’i rrezikonte jetën, pasi babai i tij kishte një borxh të pashlyer ndaj një organizate kriminale.
Megjithatë, gjatë shqyrtimit të çështjes, autoritetet britanike paraqitën prova që kundërshtonin rrëfimin e shqiptarit.
Fotografitë e dorëzuara nga ish-partnerja e tij tregonin Hazizajn në momente të ndryshme të jetës së përditshme në Britani. Në njërën prej tyre, ai shfaqej duke i propozuar martesë partneres në Mançester, ndërsa në të tjera dokumentohej pjesëmarrja e tij në një festë beqarie në Uells dhe në ceremoninë e diplomimit të saj në Swansea, gjatë vitit 2024.
Përveç fotografive, hetuesit analizuan edhe historikun e udhëtimeve të 28-vjeçarit. Nga të dhënat rezultonte se ai kishte udhëtuar disa herë drejt Shqipërisë dhe ishte kthyer sërish në Britani, përfshirë periudha gjatë të cilave pretendonte se mbahej peng nga trafikantët.
Hazizaj ishte dënuar në shkurt të vitit 2025 me dy vite burg për komplot me qëllim prodhimin e kanabisit.
Gjatë atij procesi gjyqësor, ai ishte identifikuar si organizatori kryesor i një aktiviteti kriminal që zhvillohej në tri banesa të përshtatura për kultivimin e lëndës narkotike. Sipas përllogaritjeve të hetuesve, ky aktivitet mund të siguronte të ardhura që tejkalonin dy milionë paund në vit.
Në dhjetor të vitit 2025, autoritetet britanike vendosën dëbimin e tij drejt Shqipërisë. Por shqiptari e kundërshtoi vendimin, duke kërkuar mbrojtje me argumentin se ishte shfrytëzuar nga trafikantët dhe se rrezikonte hakmarrje nëse kthehej në vendlindje.
Një tjetër fakt që rëndoi pozicionin e tij gjatë shqyrtimit gjyqësor ishte një dënim i mëparshëm me nëntë muaj burg, pasi ishte kapur duke tentuar të udhëtonte nga Tirana drejt Barcelonës me një pasaportë greke të falsifikuar.
Ministria e Brendshme britanike argumentoi se lëvizjet e tij ndërkombëtare, mundësia për të siguruar dokumente të falsifikuara dhe aktivitetet e dokumentuara në rrjetet sociale nuk përputheshin me pretendimin se kishte qenë i izoluar dhe i detyruar të punonte kundër vullnetit të tij.
Pas shqyrtimit të provave, gjyqtari Chris Cole vendosi të rrëzonte ankimin e Hazizajt, duke arritur në përfundimin se rrëfimi i tij nuk ishte i besueshëm.
Në arsyetimin e vendimit, gjyqtari theksoi se shqiptari nuk kishte arritur të provonte pretendimet për trafikim dhe punë të detyruar. Sipas tij, historia e udhëtimeve, përdorimi i dokumenteve të falsifikuara dhe mënyra e jetesës në Britani tregonin se versioni i paraqitur përpara gjykatës nuk qëndronte.
Ndërkohë, një tjetër detaj i pazakontë lidhet me mungesën e 28-vjeçarit në seancën gjyqësore të 28 tetorit. Sipas medias britanike, ai nuk ishte paraqitur përpara trupit gjykues, ndërsa përpjekjet për ta kontaktuar përmes ish-partneres dhe avokatëve që e kishin përfaqësuar më parë kishin dështuar.
Në atë periudhë, Hazizaj ndodhej në lirim me kusht në Britani, në kuadër të një tjetër çështjeje penale, për të cilën nuk janë bërë publike hollësi.
Ai pritet të paraqitet më 14 nëntor përpara Gjykatës së Magjistraturës në Londrën Qendrore, ndërsa vendimi i fundit gjyqësor i ka dhënë një tjetër goditje përpjekjeve të tij për të shmangur largimin nga Mbretëria e Bashkuar.
