Një 29-vjeçar shqiptar është kthyer në qendër të vëmendjes në Britaninë e Madhe, pasi publikoi në rrjetet sociale një video ku shfaqet duke u dhënë qenve të tij tufa me kartëmonedha paund. Pamjet kanë ngjallur reagime të shumta, ndërsa ndaj tij vijojnë procedurat ligjore për deportim.

Bëhet fjalë për Dorian Pukën, i cili, sipas mediave britanike, ka precedentë penalë për vjedhje me thyerje dhe është dëbuar dy herë nga Mbretëria e Bashkuar. Autoritetet dyshojnë se ai është rikthyer në vend në mënyrë të paligjshme dhe po përballet me një tjetër proces për largimin e tij.

Në videon që u bë virale, Puka shfaqet ulur në një kolltuk, ndërsa u jep qenve të tij, një pitbull me emrin “Cobra” dhe një pug të quajtur “Mouse”, kartëmonedha prej 20 dhe 50 paundësh.

Sipas raportimeve, gjatë 18 muajve të fundit ai ka publikuar vazhdimisht në Instagram video dhe fotografi ku ekspozon një stil jetese luksoz. Në postimet e tij shfaqen koleksione orësh Rolex, të vlerësuara rreth 160 mijë paund, si dhe automjete luksoze, mes tyre një Ferrari dhe një Lamborghini Urus V8 të vitit 2022, me vlerë rreth 180 mijë paund.

Mediat britanike raportojnë se Puka ndodhet për herë të tretë përballë rrezikut të deportimit, pasi autoritetet fituan një proces në gjykatën e emigracionit pas refuzimit të kërkesës së tij për azil. Megjithatë, ai e ka ankimuar vendimin dhe procedurat ligjore vijojnë.

Për shkak të dënimeve të mëparshme penale, ai konsiderohet subjekt i deportimit automatik sipas legjislacionit britanik. Megjithatë, prej më shumë se tre vitesh ai ka mbetur në territorin britanik, pasi proceset gjyqësore dhe shqyrtimi i kërkesës për azil kanë penguar ekzekutimin e vendimit.

Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme britanike deklaroi se autoritetet po punojnë për largimin e tij sa më shpejt të jetë e mundur.

“Ky person është një shtetas i huaj me precedentë penalë dhe ne po ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për ta larguar nga Mbretëria e Bashkuar. Për shkak të procedurave ligjore në zhvillim nuk mund të japim detaje të tjera. Nën këtë qeveri janë deportuar afro 10 mijë shtetas të huaj të dënuar dhe puna do të vazhdojë për largimin e tyre nga vendi”, thuhet në reagim.

Ndërkohë, Sekretarja e Brendshme, Shabana Mahmood, ka propozuar ndryshime ligjore që synojnë ta bëjnë më të vështirë përdorimin e argumenteve të lidhura me të drejtat e njeriut apo azilin për të penguar deportimin e personave të dënuar. Reformat parashikojnë edhe përshpejtimin e procedurave të apelimit për shtetasit e huaj që përballen me dëbim.

Edhe Chris Philp ka reaguar për rastin, duke kërkuar largimin e menjëhershëm të Pukës nga Britania.

Ai deklaroi se persona me precedentë penalë nuk duhet të lejohen të qëndrojnë në vend dhe kritikoi përdorimin e kërkesave për azil apo pretendimeve të tjera ligjore si mënyrë për të vonuar deportimin.

Sipas mediave britanike, Puka u arrestua për herë të parë në vitin 2016 dhe u dënua me nëntë muaj burg për tentativë vjedhjeje me thyerje. Pas përfundimit të dënimit ai u deportua, por brenda pak kohësh arriti të rikthehej ilegalisht në Britani.

Më pas ai u përfshi në një seri grabitjesh në Londër, derisa u arrestua nga policë civilë në zonën e Surbitonit. Në momentin e ndalimit mbante një orë luksoze që dyshohej se ishte e vjedhur. Për këtë rast ai u dënua me tre vjet e gjysmë burg dhe u deportua sërish në mars të vitit 2020.

Raportohet gjithashtu se gjatë vuajtjes së dënimit ai përdori një telefon celular të futur ilegalisht në burg për të publikuar fotografi dhe postime në Instagram.