Një 32-vjeçar shqiptar me precedentë të shumtë penalë është arrestuar nga policia italiane në Santa Maria degli Angeli, pasi kishte hyrë në mënyrë të paligjshme në territor, ndonëse kishte një ndalim hyrjeje 10-vjeçar deri në vitin 2030.
Sipas mediave italiane, i riu u ndalua gjatë një kontrolli të rastësishëm nga patrulla policore, ndërsa udhëtonte me një makinë ku ndodheshin edhe dy persona të tjerë. Ai paraqiti një pasaportë shqiptare, e cila tregonte hyrjen në Itali rreth 10 ditë më parë përmes kufirit tokësor kroat.
Verifikimet e thelluara zbuluan se 32-vjeçari ishte dëbuar pesë vite më parë, pasi ishte arrestuar në Perugia bashkë me dy bashkatdhetarë të tjerë për trafik kokaine. Pas vuajtjes së një pjese të dënimit, ai ishte dëbuar dhe i ishte ndaluar rreptësisht kthimi.
Me rikthimin e tij në shkelje të ligjit, autoritetet italiane e arrestuan menjëherë dhe pritet të përballet me drejtësinë.