Një ngjarje e rëndë është shënuar në lagjen Anderlecht të Brukselit, ku u gjet i varur me kabllo elektrike trupi i një 29-vjeçari shqiptar.
Viktima u zbulua pranë një qendre tregtare, në një zonë të mbuluar me bimësi dhe larg banesës së tij.
Sipas gazetarit Fatos Mahmutaj, autoritetet belge po hetojnë tre pista kryesore: përfshirje në një konflikt kriminal, lidhje me trafikun e drogës, si dhe vetëvrasje. Megjithatë, fakti që 29-vjeçari nuk rezulton me precedentë penalë, dobëson pistën e parë.
Hetuesit po marrin seriozisht mundësinë e vetëvrasjes, pasi pak para se të gjendej trupi, disa familjarë të tij kanë marrë një mesazh nga telefoni i viktimës ku shkruhej: “Unë po iki në botën tjetër.”
Gjithsesi, mënyra e pazakontë e gjetjes së trupit – i varur në një zonë publike dhe me kabllo elektrike – ka ngritur dyshime për një skenar të mundshëm vrasjeje apo ekzekutimi.
Media belge ka aluduar për një ekzekutim të stilit të karteleve meksikane, për shkak të ngjashmërive me raste të ngjashme të dokumentuara më herët. Por Mahmutaj i ka quajtur këto krahasime të nxituara dhe të padrejta ndaj komunitetit shqiptar në Belgjikë.
“Pistën e vetëvrasjes e mbështet mesazhi që u ka mbërritur familjarëve të tij. Ai ishte një person pa të shkuar kriminale. Krahasimi me kartelet meksikane vetëm rëndon padrejtësisht mbi komunitetin shqiptar dhe nuk ndihmon në zbardhjen e ngjarjes. Drejtësia belge funksionon me efikasitet, ndaj duhet të presim rezultatet zyrtare të hetimit. Trupi është marrë nga mjekësia ligjore dhe ende nuk ka një deklaratë përfundimtare,” tha Mahmutaj.
Ekspertë të mjekësisë ligjore dhe prokurorë kanë qenë në vendngjarje, ndërsa hetimet vijojnë.