Gazetari shqiptar në Belgjikë, Fatos Mahmutaj ka dhënë detaje në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Bruksel, ku nëj shqiptar u gjet i varur në një tabelë sinjalistike, në mes të rrugës.

Sipas Mahmutajt, viktima u gjet pranë lagjes Anderlecht, një zonë në jugperëndim të Brukselit, ku kryqëzohen disa nga arteriet kryesore të qarkullimit dhe ndodhet një qendër e njohur tregtare.

Viktima u gjet jashtë lagjes Anderlecht, që është një nga lagjet jugperëndimore të Brukselit, një nga ato lagje ku kryqëzohen shumë prej rrugëve dhe arterieve kryesore të Brukselit. Aty pranë është një qendër e njohur tregtare dhe diku aty afër, në një nga tabelat e rrugës, u gjet ky person i varur me një kabllo”, tha Mahmutaj.

Gazetari theksoi se viktima nuk ishte i njohur për precedentë penalë, ndërsa hetimet po zhvillohen mbi tre pista kryesore. Sipas policisë belge, pista e parë lidhet me një konflikt të mundshëm me persona nga bota e krimit, pista e dytë është përfshirja e mundshme në trafikun e drogës dhe pista e tretë është vetëvrasja. Hetuesit po e marrin seriozisht edhe pistën e vetëvrasjes, pasi disa të njohur të viktimës kanë marrë një mesazh misterioz nga telefoni i tij, ku ai shkruante: “Unë po iki në botën tjetër.”

“Viktima nuk njihet si njeri me precedentë penalë. Pista numër një flet për përfshirje në krime të rënda, por kjo bie ndesh me faktin që personi nuk njihet me precedentë kriminalë. Pista dy, për përfshirje në trafik droge, nuk është se ka prova, por kemi një provë të një mesazhi telefonik që ka ardhur nga telefoni i viktimës dhe i është dërguar të afërmve, ku thuhet: ‘Unë po shkoj në botën tjetër’”, tha gazetari.

Sidoqoftë, dyshime janë ngritur edhe për një skenar vrasjeje, për shkak të mënyrës së çuditshme dhe të pazakontë se si është gjetur trupi. Mahmutaj shtoi se ekspertët mjeko-ligjorë dhe prokurorët kanë qenë në vendngjarje, por ende nuk ka një përfundim zyrtar.

“Me të drejtë, hetimet ngrenë pistën e ekzekutimit, sepse thonë: nëse ky donte të vetëvritej, mund të vetëvritej në shtëpinë e vet dhe jo të dilte atje. Kjo ka ngritur dyshime, por derisa të sqarohet, është e tepërt të flasim në këto momente”, tha ai për euronews.

Gazetari tha se spekulimet për një ekzekutim të ngjashëm me ato të karteleve meksikane janë bërë nga media belge, për shkak të mënyrës së lidhjes së trupit me kabllo elektrike, një metodë që ngjason me disa raste të dokumentuara në Meksikë.