Kënga “Picasso” nga binjakët Donald dhe Romeo Veshaj në bashkëpunim me Elgit Dodën ka sjellë jo pak zhurmë në rrjet. Kjo për shkak se videoklipi është realizuar pranë ikonave fetare dhe kjo duket se nuk është pritur mirë nga kisha.

Kjo e fundit ka bërë një reagim të ashpër ndaj filmimeve pranë këtyre ikonave, duke thënë “mos të preken pikturat e shenjta”. Sipas saj, muzika dhe pamjet që bëhen pranë tyre, fyejnë dhe dëmtojnë imazhin e kishës.

Pikërisht kjo u diskutua ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, ku në studio ishte i ftuar Miron Çako, teolog përfaqësues i Kishës Orthodokse.

Sipas Mironit, ato ikona për besimtarët nuk janë vetëm ikona, por janë mjete liturgjike.

“Këto ikona për shekuj kanë qenë pjesë e kishës, por u konfiskuan në mënyrë të padrejtë, absurde dhe ngelin ende në muze. Edhe sot ndodhen në muze. Kisha ka pranuar që të jenë në këtë muze, duke respektuar etikën për paraqitjen e këtyre ikonave.

Nuk kam asgjë personale me artistët, ata bëjnë artin se ta duan, por jo ku të duan dhe për të fyer ndjeshmërinë tonë fetare, personale timen. Janë gjestet, fjalët dhe pjesa tjetër e klipit që nuk ka lidhje me ikonat”, tha Çako.

Teologu u shpreh se një gjë e tillë është “degjenerim”.

“Ne lutemi përpara atyre ikonave për shekuj dhe vjen dikush e merr leje dhe fyen të gjithë etikën tonë fetare”, shtoi më pas ai.