Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses një tjetër aksion kundër trafikut të lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje. Në kuadër të operacionit të koduar “Kombinimi”, të zhvilluar nga Komisariati Nr. 5 në bashkëpunim me Seksionin e Narkotikëve, u vunë në pranga dy persona të rrezikshëm me precedentë penalë në fushën e drogës.

Të arrestuarit janë Agron Tafaj, 53 vjeç, nga fshati Gjormë i Laçit, dhe Tajson Tafa, 27 vjeç, banues në Tiranë. Ata u kapën në flagrancë në zonën e Bathores duke lëvizur me dy automjete të ndryshme.

Më pas, në bashkëpunim me Policinë e Kurbinit, u ushtrua kontroll në banesën e 53-vjeçarit në Gjormë, ku u zbulua një ambient i përshtatur për kultivimin e kanabisit me ndriçim artificial (llamba). Nga kontrolli u sekuestruan:

48 bimë dhe 120 fidanë të dyshuar cannabis sativa

7 kg kanabis

4 kallëpe tritol

2 granata, 2 ndezësa, 7 fitila detonatorë

3 kuti me ndezësa minash luftarake

Ndërkohë, në banesën e 27-vjeçarit në Tiranë u gjetën:

1 kg kanabis

1 peshore elektronike

1 armë e ftohtë (thikë) dhe 1 shufër metalike

Policia ka nisur hetimet për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rrjet kriminal, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.