Policia e Shkodrës ka arrestuar katër persona pas kapjes së tyre gjatë ushtrimit të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Gjatë një kontrolli në banesën e Zef Shtjefni, në fshatin Naraç, policia sekuestroi 140 kg kanabis sativa në formë boçesh, që ndodheshin në një ambient të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike. Banesa ishte e pajisur me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Po ashtu, në afërsi të banesës, u gjetën pajisje të tjera që dyshohet se janë përdorur për kultivimin e bimëve narkotike, të cilat u sekuestruan bashkë me lëndën narkotike dhe një mjet zetor me rimorkio.
Katër të arrestuarit janë Zef Shtjefni, 61 vjeç, Gent Shtjefni, 38 vjeç (i biri i tij), Dritan Shtjefni, 35 vjeç dhe David Shtjefni, 42 vjeç (vëllezër dhe nipat e Zef Shtjefnit), të gjithë banues në fshatin Naraç.
Materialet e çështjes u dërguan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprime të mëtejshme, për akuzat e “Kultivimit të bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.