Në shtëpinë-muze të kujtesës së civilëve të rënë të luftës mbeten hapësira të tjera mjaft të rëndësishme që i kujtojnë Fadil Muqollit dhe anëtarët e tjerë të familjes.
Sidomos, plaga e pashërueshme janë vogëlushët e tij, që u masakruan pa mëshirë nga xhelatët serbë.
“Dhoma ku është gjithçka ka pasur në shtëpi. Këtu janë librat e fëmijëve, motrës, cikës së djalit të xhaxhait. Ata janë librat e motrës, Hafisë. Ka qenë studente, ka ardhur një javë para se të ndodhte gjenocidi dhe është vrarë. Librat e vajzës, Shehidës, Ylberit të djalit të dytë, librat e Naserit, djalit të madh. Këtu është gjithçka që ka pasur në shtëpi, është plisi i babës. Atë transmetuesin e ka mbajtur familja deri sa është vrarë, për të dëgjuar lajmet”, u shpreh familjari i viktimave, Fadil Muqolli.
Dhimbja e Fadilit tregon se si ka ekspozuar sendet personale të familjarëve të rënë në muze dhe çfarë vlerë ka për secilin. Fëmijët e tij ishin të shtyrë nga librat dhe shkolla, por fatkeqësisht u përballën me agresorin e pamëshirshëm nga Beogradi. Një tjetër dhomë e rëndësishme e muzeut, në të cilën Fadili ndalet gjatë, është ekspozimi i veshjeve që kanë pasur anëtarët e familjes. Ai ka refuzuar t’i lajë që në krye të herës dhe i ka ruajtur ashtu siç kanë qenë pas rikthimit të familjes nga Drenasi, ku nuk janë lejuar të futen brenda.
“Janë rrobat e 14 anëtarëve të familjes atë ditë që janë kthyer, që i ka lagur shiu dhe i kanë ndërruar në banjo. Këto rroba janë në atë gjendje siç i kanë lënë, nuk kam pranuar t’i pastroj. Kam dashur t’i ruaj ashtu siç i kanë lënë 14 anëtarët e familjes së ngushtë”, u shpreh Fadil Muqolli, familjar i viktimave.
Fadili, me një forcë mbinjerëzore, shpjegon dhe paraqet të gjithë anëtarët e vrarë të masakrës së Poklekut në dhomën ku kujtohen të gjithë së bashku. Në dhomë janë të shfaqura dhe detaje makabre të gjendjes së mureve dhe dyshemesë pas ngjarjes, që vërtetojnë fjalët e këtij luftëtari të UÇK-së. Gjaku i fëmijëve, që ka rrjedhur lirshëm nga dhoma në bodrum, është dëshmia më e fortë e kësaj masakre.
“Jemi në dhomën ku janë fotografitë e të gjithë atyre që janë vrarë, masakruar dhe djegur. Këtu janë fotot e bodrumit. Kur kemi hyrë, toka ka qenë vetëm gjak, muret me gjak. Këtu janë fotot e eshtrave siç i kemi gjetur; këto foto i ka bërë Nehat Sulejmani, para se t’i tërhiqte. Vendi ku janë vrarë baba dhe Ymerl Elshani. Arkivoli ku janë eshtrat e 51 personave, e pamundur t’i ndash, sepse më i madhi ka qenë sa një paketë cigare. Kjo është familja e ngushtë: baba, nana, motrat, bashkëshortja, vajza, 3 djemtë. Bashkëshortja e vëllait, dy vajzat e vëllait. Liria ka lindur në luftë, i ka pasur vetëm 6 muajsh. Axha, shpjegimi, me pas i personave të vrarë. Emrat që kanë humbur jetën“- u shpreh Fadil Muqolli.
Fadil Muqolli ka dhënë gjithçka për lirinë e Kosovës. Jeton mes dhimbjes dhe kujtimit për familjarët e humbur. Është dëshmi e gjallë e sakrificës dhe forcës, dhe motivi se pse sot gëzojmë lirinë, për shkak të vetmohimit që ai dhe të ngjashmit e tij në UÇK kanë bërë.
Sot, në një kohë kur drejtësia ndërkombëtare duket se ka humbur qëllimin dhe rrugën, ku betimi i Solonit duket i largët sa vetë prejardhja e emrit të tij nga Athina e lashtë, viktima po gjykohet si agresor. Autorët e masakrës së Poklekut jo vetëm që nuk janë dënuar, por nuk ka pasur asnjë lëvizje minimale për identifikimin e tyre. Kjo është hipokrizi dhe turp i magjistratëve në Hagë, që nga zyrat e tyre, të ndikuara nga influenca ruso-serbe, nuk kanë marrë mundimin të shkelin në Poklek. Nëse do të dëgjonin këshillën e ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Lord George Robertson, sot nuk do të dukeshin aq qesharakë dhe të gërditshëm sa duket kur akuzojnë ish-liderët e UÇK-së se kanë mbajtur armë në kohë lufte.
