Detaje të reja kanë dalë në lidhje me vdekjen tragjike të 45-vjeçarit Eduard Çarçani, i cili u gjet i pajetë në kangjellat e murit rrethues të një banese në fshatin Plasë, bashkia Maliq. Hetimet paraprake dyshojnë se viktima ka ndërruar jetë aksidentalisht ndërsa tentonte të kalonte murin, dhe se mund të ketë mbytur gjatë përpjekjes për të kaluar nga muri.
Viktima, një emigrant i kthyer nga Italia, jetonte i vetëm në fshat pas divorcit. Shtëpia ku u gjet i pajetë ishte e pabanuar dhe ndodhej nën kujdestarinë e një të afërmi. Banorët e zonës kanë theksuar se Çarçani nuk ishte një person problematik, por kishte prirje të konsumonte alkool.
Një banor tha: “Ishte djalë i mirë, në hallet e veta. Ai nuk merrej me gjë. Pinte raki, ikte xhiro.” Ndërkohë, një tjetër banor shtoi: “Ai jetonte më shumë në Itali, nuk ka pasur kohë të gjatë që është kthyer këtu. Kishte problemet e tij, pinte shumë. Jetonte prej shumë vitesh në Itali, me të ëmën, motrën dhe dajët. Shtëpia që u gjet i varur është e Fejim Agollit, dhe ajo është e pabanuar. Nuk ka njeri aty, e mirëmban kunati.”
Të dhënat tregojnë se viktima kishte pasur një histori të konsumimit të alkoolit dhe se mund të ketë qenë në gjendje të dehur kur ka ndodhur ngjarja fatale. Dyshohet se ai tentoi të kalonte përmes murit të banesës, por bluza e tij ka ngecur në kangjellat dhe për pasojë ka ndodhur tragjedia.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe për të konfirmuar rrethanat e aksidentit.
