Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, mbajti sot fjalimin e saj në samitin “Growth Plan – Our pathway to EU”, duke theksuar rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor për sigurinë dhe të ardhmen e Bashkimit Evropian.
Kos u shpreh se publikimi i paketës së re të zgjerimit të BE-së ka sjellë një dinamikë të re në procesin e anëtarësimit, duke hapur një fazë të re bashkëpunimi dhe angazhimi të ndërsjellë.
“Është kënaqësi të jem këtu pak pas publikimit të paketës së zgjerimit, e cila ka sjellë një ritëm të ri në proces. Kjo është një çështje me të cilën po punojmë fort dhe rezultatet e saj po duken,” tha ajo.
Ajo nënvizoi se stabiliteti i Evropës është i lidhur ngushtë me integrimin e Ballkanit Perëndimor: “Europa nuk mund të jetë e sigurt pa Ballkanin Perëndimor. Ky ka qenë një gabim i së kaluarës dhe tani duhet ta rregullojmë,” deklaroi Kos.
Komisionerja theksoi gjithashtu se vendet e rajonit janë pjesë e natyrshme e kontinentit evropian, jo vetëm gjeografikisht dhe historikisht, por edhe në aspektin politik:
“Shtëpia juaj po ju pret. Ju jeni pjesë e Evropës dhe tani duhet ta bëjmë këtë edhe në formën institucionale,” u shpreh ajo.
