Është miratuar në mbledhjen e  Këshillit të Ministrave vendimi për trajtimin financiar të personelit të Forcave të Armatosura.

Ky vendim synon të forcojë kapacitetet kombëtare dhe të përmirësojë cilësinë e shërbimeve të Mbrojtjes Civile. Janë rreth 6000 efektivë do të përfitojnë nga ky vendim, 2500 prej tyre e marrin për herë të parë shtesën mbi pagën.

Pjesë e këtij vendimi të propozuar nga Ministria e Mbrojtjes do të jenë dhe forcat speciale, pilotët, inxhinierët dhe teknikët e mirëmbajtjes, njësia Cyber, dronët, forcat e dedikuara për emergjencat civile dhe shumë e shumë kapacitete të tjera.

Trajtimet financiare do të variojnë nga 100.000 lekë mbi pagën në muaj, nga i cili përfitojnë 200 ushtarakë. Ndërkohë, për efektivët e Agjencisë së Inteligjencës, trajtimi financiar mbi pagën shkon deri në 20.000 lek në muaj për rreth 150 ushtarakë.

Për ushtarakët aktivë të strukturave të tjera, shtesa mbi pagën shkon deri në 70.000 lek në muaj, duke përfshirë edhe ata ushtarakë që nuk e kanë përfituar më parë këtë shtesë. Ky vendim vjen vetëm 4 muaj pas rritjes së pagave që u bë për kategori të caktuara të Forcave të Armatosura.

Prej vitit 2022 pagat e efektivëve të FA kanë pësuar rritjen më të madhe në histori, prej gati 40%.