Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në prezantimin e Albanian Digital Solution Sh.A., një projekt që synon të përshpejtojë transformimin digjital dhe të forcojë inovacionin teknologjik në Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë u ndal edhe te debati publik i ditëve të fundit lidhur me zonën e Zvërnecit, duke kundërshtuar pretendimet se shteti ka falur prona.
Rama deklaroi se toka në fjalë nuk ka qenë pronë shtetërore, por private, ndaj sipas tij nuk mund të flitet për falje apo dhënie të pasurisë publike.
Kryeministri theksoi se është e nevojshme që çështja të trajtohet mbi bazën e fakteve dhe dokumentacionit përkatës, duke hedhur poshtë akuzat që janë bërë në lidhje me statusin e pronës në këtë zonë.
“Është një përpjekje që ne besojmë shumë se do ja dalim me sukses, duke e kthyer ne realitet. Duke e kthyer në realitet, do të thotë që disponojmë një produkt të prodhuar në vendin tonë, që është i eksportueshëm.
Korporata Shqiptare e Investimeve është një realitet sot që flet qartësisht për epërsinë e kësaj qasje, në raport me atë të mëparshëm, që ishte e gurëzuar nga koha dhe mekanizmat e dobët që kishim në dispozicion. Korporata e Investimeve sot ka krijuar një portofol me një kapacitet mbi gjysmë miliard euro që do të shkojnë në interes të shtetit shqiptar, duke mos bërë asgjë tjetër veç pronave publike, duke i vendosur edhe për interesat e shtetit. Jo vetëm kurdo dhe kudo dhënie të pronës publike në emër të zhvillimit, diçka që është bërë në të shkuarën dhe me të drejtë se s’ka pasur mundësi të tjera.
Po dalin disa lajme me demek shteti po fal Zvërnecin. Shteti nuk po fal asgjë, sepse shteti aty nuk ka asgjë. Ajo është një pronë private, dem baba dem. Investitorët e përfshirë në atë biznes, janë investitorë seriozë që atë pronë e kanë marrë nga privatët.
Shteti ka pasur në anën tjetër të projektit, ku është ishulli i Sazanit, ku ende nuk kanë mbaruar negociatat, pasi Korporata e Investimeve është pjesë e projektit. Edhe toka e ishullit do të jetë e shtetit shqiptar”, tha Rama.
