Projekti për krijimin e një mikro-shteti sovran të Urdhrit Bektashi në Tiranë po avancon drejt një faze të re, ndërsa shtatori përmendet si një periudhë e mundshme për zhvillime të rëndësishme në procesin e zyrtarizimit.

Sipas medias franceze “Intelligence Online”, drejtuesit e Urdhrit Bektashi kanë intensifikuar përgatitjet për ngritjen e strukturave që do t’i nevojiteshin entitetit të ri. Projekti parashikon një territor prej rreth 11 hektarësh në Tiranë, çka, nëse realizohet sipas planit, do ta bënte atë një nga shtetet më të vogla në botë. Për nga modeli i funksionimit dhe karakteri fetar, nisma është krahasuar edhe me Vatikanin.

Përgatitjet raportohet se nuk janë kufizuar vetëm te përcaktimi i territorit dhe administratës. Një prej elementeve që po shqyrtohet është krijimi i një monedhe të veçantë, me emrin “Bek”, vlera e së cilës pritet të lidhet me çmimin e arit.

Në planet për funksionimin e mikro-shtetit përfshihet gjithashtu pajisja me pasaporta të posaçme dhe krijimi i një sistemi përfaqësimi ndërkombëtar.

“Intelligence Online” raporton se rrjeti i përfaqësuesve jashtë Shqipërisë pritet të drejtohet nga Kreshnik Grezda, në cilësinë e ambasadorit të përgjithshëm. Për Shtetet e Bashkuara është përzgjedhur Christopher Hyland, ndërsa sipërmarrësi belg me origjinë shqiptare Hazis Vardar është caktuar për përfaqësimin në Francë dhe Belgjikë.

Krahas përgatitjeve administrative, po punohet edhe për aspektet simbolike dhe diplomatike që do të shoqëronin funksionimin e strukturës së re. Megjithatë, burime pranë Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, shprehen më të rezervuara për mundësinë që i gjithë procesi të marrë miratimin përfundimtar që në muajin shtator.

Ideja për krijimin e “Shtetit Sovran të Urdhrit Bektashi” u bë publike nga kryeministri Edi Rama në shtator të vitit 2024, gjatë një interviste për “The New York Times”.

Rama e paraqiti nismën si një mënyrë për të promovuar tolerancën dhe bashkëjetesën fetare që karakterizon Shqipërinë, duke propozuar krijimin në Tiranë të një enklave me një model të ngjashëm me atë të Vatikanit.

Sipas projektit të prezantuar, entiteti i ri do të kishte territorin dhe kufijtë e tij, një administratë të posaçme dhe dokumente identifikimi, ndërsa Urdhri Bektashi do të kishte një status të veçantë institucional.