Numri i çifteve që hasin vështirësi për të sjellë në jetë një fëmijë sa vjen e rritet dhe ky nuk është një fenomen vetëm shqiptar.
Mjekët gjinekologë rendisin ndër faktorë kryesorë moshën e madhe kur çiftet vendosin të planifikojnë shtatzëninë e pare, e cila pasohet me patologji të ndryshme çka e vështirëson edhe më tej, por edhe stili i jetesës që nis me mënyrën e ushqyerjes apo përdorimi i duhanit, alkoolit dhe drogave nga të dy partneret e të tjera.
“1 në 6 çifte has vështirësi të konceptojë një shtatzëni”, u shpreh Eliona Demaliaj, doktoreshë e Spitalit Univeristar obstetrik-gjinekologjik “Mbretëresha Geraldine”
Në shoqërinë tonë shpesh fajësohet gruaja për vonesën e një shtatzënie por sipas të dhënave statistikore 30 % shkak i vonesës është partneri dhe po aq partnerja por shpesh ndodh nga shkaqe të pashpjeguara. Por çiftet shqiptare vuajnë më së shumti nga stigma, druajnë ose shkojnë shumë vone tek mjeku ndërkohë që infertiliteti është një patologji si gjithë të tjerat, theksojnë mjeket.
“Nuk është turp që po vonon të mbetesh shtatzënë. Çiftet duhet të flasin me mjekun të shkojnë tek psikologu”, tha Demaliaj.
Në një konferencë organizuar nga Spitali univeristar obstetrik gjinekologjik “Mbretersha Geraldine” mbi rrugët teknologjike dhe njerëzore në uljen e infertilitetit. Mjekë të njohur në fushën e gjinekologjisë dhe riprodhimit, shqiptarë dhe italianë kanë shkëmbyer eksperiencat e tyre. Në këtë maternitet pritet të ngrihet qendra e trajtimit të infertiliteit dhe prokreacionit të asistuar për çiftet që hasin vështirësi./ Top Channel