“Fiks Fare” 


Rizvani: “Kisha dhe unë një nënë dhe një baba që nuk i pashë më që kur më arrestuan. Por sekretar byroje i partisë nuk ishte asnjëherë babi im, por ai që është Kryeministër”


Në ditën e 13 të grevës së urisë së ish-të përndjekurve politikë, u shtua edhe një tjetër grevist. Ai është 58-vjeçari nga Berati, Abedin Rizvani. Mëngjesin e të premtes vendosi të hynte në grevë urie bashkë me bashkëvuajtësit e tij. Përpara se të hynte në grevë, kërkoi të shprehte revoltën, pakënaqësinë e tij ndaj indiferencës së Kryeministrit, i cili e cilësoi politike grevën e urisë së ish të përndjekurve politikë. Erdhi në redaksinë e “Fiks fare” dhe këmbënguli të intervistohej. Sot, ai nuk është më shumë se 58 vjeç. I veshur keq, i parruar dhe kur flet i duken disa dhëmbë të mbetur në gojë. Kur nis të flasë asnjë nuk arrin të përqendrohet në detaje të tilla të parëndësishme. Me një zë që mbart vetëm revoltë dhe lodhje, nis të tregojë për arsyen se përse ka ardhur. “Dua të them diçka para se të futem në grevën e urisë bashkë me shokët e mi ish të dënuar politikë. Nuk kam ardhur për vete po për dy fëmijët e mi që i kam në shtëpi. Nuk di ku t’i çoj, me se t’i ushqej? Sot jam vetë i katërt, pa punë. Nuk kisha mbushur ende 16 vjeç kur më arrestuan dhe akuzuan se bëja pjesë në një organizatë terroriste. Bëra 22 vjet burg. Kam qenë në Burgun e Spaçit dhe të Burrelit”, nis rrëfimin e tij z. Rizvani. Gjithçka që ka marrë për vitet e burgut ka qenë “një letër me vrimë” siç e quan ai letrën me vlerë që ka marrë në vitin 1994 dhe një milion lekë të reja më pas në vitin 2010. Ndërkohë që shteti ka për t’i dhënë edhe 10 milionë lekë të tjera. Nuk ka shpresë se do t’i marrë. Kërkon një jetë më të mirë për fëmijët e tij. Nuk do që fëmijët e tij të rriten me vuajtje siç u rrit ai. “Sot po shkoj në grevë jo se më kërkuan, por se aty duhet të jem dhe po të jetë nevoja do të shkoj deri në vetëmohim. Këtë e bëj që fëmijët e mi të mos rriten si unë”.


Në trup ka ende shenjat e zinxhirëve me të cilët ka qëndruar i lidhur për muaj të tërë në Burgun e Spaçit. I dërrmuar nga dhimbja dhe mjerimi, por fisnik kërkon të drejtën e tij. Kur përmend Kryeministrin Berisha inati që ka përbrenda i nxjerr edhe ndonjë fjalë fyese nga goja. Kërkon ndjesë sepse inatin dhe dhimbjen e ka të madhe. “Shikoni se si kanë mbetur ende në këmbët e mia shenjat e zinxhirëve që na mbanin të lidhur nga një muaj! Kurse ai legeni (Kryeministri), më falni, po tallet me ne!”


Përpara se të dalë nga zyrat e “Fiks Fare” këmbëngul të thotë dhe diçka. I mbushen sytë me lot kur kujton prindërit të cilët nuk i ka parë më që nga koha kur u dënua, ishte vetëm 16 vjeç atëherë.


“Kisha dhe unë një nënë dhe një baba që nuk i pashë më që kur më arrestuan. Por sekretar byroje i partisë nuk ishte asnjëherë babi im, por ai që është Kryeministër”. Falënderoi, fshiu djersët dhe iku i heshtur si gjithë të tjerët që janë ngujuar në një trotuar në rrëzë të një pallati, duke pritur mrekullinë e qeverisë.