Adrian Hoxha, djali i biznesmenit të zhdukur Remzi Hoxhës, ka apeluar sërish për gjetjen e eshtrave të babait të tij të zhdukur prej 17 vjetësh, duke ofruar edhe një shpërblim për informatorin.
“Duam të dimë vetëm ku gjenden eshtrat e babait tim dhe ofrojmë edhe një shpërblim për këdo që na tregon se ku gjenden eshtrat e tij” tha Adrian Hoxha, pas vendimit të Gjykatës së Krimeve të rënda për shtyrjen e seancës për çështjen e zhdukjes së biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha. Në seancën e sotme pritej të lexoheshin konkluzionet e palës mbrojtëse, por avokatët kanë kërkuar më tepër kohë.
Në seancën e mëparshme prokuroria ka kërkuar pushim të çështjes për dy ish-punonjësit e SHIK-ut Arben Sefgjinin dhe Avni Koldashin, ndërsa ka këkuar 13 vjet burg për Iliri Kumbaron. Në pretencën e prokurorisë thuhej se bazë të hetimeve të kryera nga organ i akuzës nuk provohet se Sefgjini dhe Koldashi kanë qenë të përfshirë në torturimin e më pas zhdukjen e Remzi Hoxhës.
Ndërsa për Ilir Kumbaron kjo gjë është provuar dhe ai dënohet me 13 vjet heqje lirie në mungesë, pasi ai për vite me rradhë i është fshehur drejtësisë dhe vazhdon ti fshihet me zgjuarsi pasi iu arratis drejtësisë britanike në fund të vitit 2011. Pas leximit të pretencës, djali i Remzi Hoxhës deklaroi se nëse nuk gjenden fajtorët nga drejtësia, atëherë familja do të bëjë vetëgjyqësi.
26 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)