Anëtarësimi në BE


integrimi BE data serbiaNdonëse e kishte lajmëruar për të martën, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, ka shtyrë datën e diskutimit për anëtarësim të Serbisë dhe Maqedonisë.


Debati është shtyrë për datën 25 qershor, kur do të takohen ministrat e Jashtëm të BE-së.


Eamon Gilmore, ministër i Jashtëm i Irlandës, vendi i të cilit kryeson BE-në, tha se ai dhe kolegët e tij “do të adresojnë këtë çështje më vonë”.


Debati i shtyrë do të ndodhë vetëm dy ditë përpara samitit të Këshillit Europian të 27 dhe 28 qershorit, ku krerët e vendeve europiane do të marrin vendimin final.


Pas marrëveshjes së fundit të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Komisioni Europian rekomandoi që Serbisë duhet t’i jepet një datë e fillimit të bisedimeve për anëtarësim.


Megjithatë, bllokada e mbetur lidhet me atë se çfarë do të ndodhë me institucionet e udhëhequra nga Serbia në pjesën veriore të Kosovës, derisa të mbahen zgjedhjet lokale në fund të vitit.


Derisa Kosova insiston në mbylljen e menjëhershme të këtyre institucioneve, Serbia thotë që ato duhet të vazhdojnë të funksionojnë deri në zgjedhje.


Raportimet e Komisionit Europian kanë rekomanduar fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë çdo vit që nga 2009-ta.


Por Maqedonisë asnjëherë nuk i është ofruar një datë për shkak të kontestit të emrit me Greqinë.


Greqia insiston që emri i Maqedonisë implikon pretendime territoriale të provincës së vet veriore, e quajtur po ashtu Maqedoni.


Vjeshtën e kaluar, Bullgaria iu bashkua Greqisë në bllokimin e ofertës së anëtarësimit të Maqedonisë, duke pretenduar diskriminimin dhe gjuhën e urrejtjes drejt bullgarëve brenda dhe jashtë ish-republikës jugosllave.


Si rezultat, dhjetorin e kaluar, Këshilli i Bashkimit Europian tha se çfarëdo vendimi për hapjen e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë, do të bazohet në një raport special të Komisionit Europian, i cili ishte publikuar në prill.


Raporti vuri në dukje përparimet në gati të gjitha fushat e lidhura me BE-në, duke deklaruar se Maqedonia ka përmirësuar raportet me Greqinë dhe Bullgarinë dhe që reformat e saj për anëtarësim në BE ishin kryesisht “në udhë të drejtë”, pasi që vendi kishte zgjidhur krizën e shkaktuar nga një mosmarrëveshje në parlament me 24 dhjetor.


Sidoqoftë, Komisioneri Stefan Fule, në prill tha se ka mbetur shumë për t’u bërë, duke përmendur komisionin e hetimeve për ngjarjet në parlament, nënshkrimin e memorandumit të mirëkuptimit në mes të partive politike për integrimin në BE, si dhe rifillimin e dialogut me gazetarët që ishin ankuar për shkelje të rregullave nga qeveria.